NGA MERO BAZE/
Për të ilustruar diferencën në nivelin e lirisë së shtypit në raport me pushtetin në Francë, në kohën e François Mitterrand dhe Nicolas Sarkozy, ky i fundit mbahet mend për një batutë ndërsa po zbriste nga avioni dhe gazetarët i kishin zënë derën e aeroportit në Paris, pasi po kthehej nga pushimet me të dashurën e tij, këngëtaren e njohur Carla Bruni.
“E shikoni sa lart ka shkuar liria e shtypit me mua” – u tha ai? “Paraardhësi im një dekadë e ca më parë ka pasur fëmijë të paligjshëm dhe jo vetëm të dashura, dhe ju as guxuat ta pyesnit e as të shkruanit për të. Kurse mua jeni të lirë të më zini rrugën.”
Ky episod i Sarkozisë ilustron klimën e shëndetshme që sjell në një demokraci funksionale debati dhe transparenca mes dy pushteteve të pavarura, në këtë rast, pushteti i parë (ekzekutivi) dhe pushteti i katërt (media).
Në rastin e Shqipërisë, po përjetojmë debatin mes pushtetit politik dhe atij të drejtësisë. Gatishmëria e SPAK për t’iu kundërpërgjigjur çdo debati me kryeministrin Edi Rama është një shenjë e mirë e pavarësisë që ka arritur drejtësia nga politika dhe mbi të gjitha, një standard i ri në raportet mes politikës dhe drejtësisë.
Edhe pse përgjigjet e SPAK shpesh janë në gjuhë të drunjtë dhe larg thelbit të debatit, e rëndësishme është që ata kanë vullnetin të kundërpërgjigjen dhe ta çojnë më tej këtë debat të shëndetshëm për shoqërinë.
Merreni me mend cili ka qenë standardi i debatit mes drejtësisë dhe politikës në vitin 2011.
Nuk ka qenë debat, por vetëm akuzë nga pushteti. Kryeministri i kohës, sapo pa që kryeprokurorja Ina Rama mund t’i shkonte në zyrë për shkak të vrasjeve të katër qytetarëve në protestën e 21 Janarit, e akuzoi atë si “lavire bulevardi” dhe i ngriti një komision parlamentar hetimi, duke e konsideruar atë si një mekanizëm që bllokonte hetimet. Sipas tij, më parë duhej të hetohej ajo dhe presidenti.
Nga Prokuroria, jo vetëm që nuk pati debat, por nuk pati as guxim për të hetuar. As kryeministri që urdhëroi vrasjet dhe as ministri i Brendshëm, që ishte jashtë loje, nuk janë thirrur ende pas 14 vitesh për të dëshmuar pse u vranë njerëzit. Plumbat para Kryeministrisë u fshinë me fshesë, porta u ndërrua, përgjimet e kamerave nuk u dhanë, serveri u ndërrua, gardistët nuk u dorëzuan kur i kërkoi Prokuroria, dhe askush nuk guxoi të ngrejë as zërin, as ndonjë apel të ri për këtë çështje.
Çështja ka 14 vite dhe të njëjtët prokurorë sot sillen sikur “mendohen”, por në fakt janë gjithë zemërim pse Gjykata e Lartë ua la atyre në dorë këtë dosje.
Sot, të njëjtët prokurorë, në raport me pushtetin, nuk kanë fatin e Ina Ramës. Nuk i akuzon askush, por debatojnë vetëm për standardet e tyre profesionale. Dhe ata kundërpërgjigjen.
Kjo është një diferencë e madhe mes një pushteti që ul kokën dhe mbyll gojën dhe një pushteti që i bën palë në debat dhe premton bashkëjetesë me ta.
Kjo do të thotë se demokracia funksionon dhe se pushtetet bëjnë secili betejën e vet.
Pushteti politik duhet ta vlerësojë pozitivisht faktin që drejtësia është e lirë të mbrojë pozicionin e saj në betejën me politikën. Kjo është diçka që i ka munguar Shqipërisë për shumë kohë, dhe drejtësia duhet t’ia njohë këtë fitore politikës.
Nëse ka ndonjë rezervë, le të kujtojë çfarë ndodhte 15 vjet më parë, sikur këta të guxonin të thërrisnin për hetime Lulzim Bashën apo Ridvan Boden. Nuk do kishin kohë të ktheheshin në zyrë.