Saalbach, Austri – Skiatorja Lara Colturi është renditur e shtata në Kampionatin Botëror të Skive Alpine që po zhvillohet në Saalbach të Austrisë. Italo-shqiptarja garoi në disiplinën e Sllallomit Gjigant dhe e mbylli provën e parë në vendin e nëntë me kohën 1:12.92, paçka se është e përfshirë nga një virozë dhe në garë u fut me temperaturë.

Në provën e dytë Colturi e mbylli për 1:13.29, pra më vonë se në tentativën e parë (vendi dhjetë). Me kohën e përgjithshme 2:26.21, Colturi në fund mundi të renditej në pozitën e shtatë.

Debutimi i saj i parë në këtë nivel të Skive ishte më shumë se i pranueshëm, duke parë edhe vështirësinë e kësaj disipline. Në garë ishin 109 sportiste dhe për të kuptuar vështirësinë e pistës dhe disiplinës, vlen të përmendet se pretendentet për të fituar garën, Sofia Goggia dhe Marta Bassino nuk e mbyllën provën e parë.

Kjo garë u fitua nga italiania Fedrica Brignone, ndjekur në podium nga Alice Robinson e Zelandës së Re dhe amerikania Paula Moltzan.

Kujtojmë se Kampionati Botëror i Skive Alpine mbahet në Saalbach nga 4-16 shkurt dhe Shqipëria përfaqësohet me sportistët Lara Colturi dhe Denni Xhepa. Sportisti kuqezi garon të premte (nesër), ndërsa Lara del sërish në pistë të shtunën.