Deputeti Toni Gogu ka shprehur mbështetjen ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj. Duke folur në Kuvend, Toni Gogu iu referua ndryshimeve të dukshme që ka pësuar Tirana në dekadën e fundit, duke i krahasuar zhvillimet e qytetit me periudhën e kaluar kur flinte gjumë. Teksa e cilësoi si njeriun e punës, Gogu tha se beteja e PS është beteja e të ardhmes evropiane të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë, është beteja e këtij qyteti dhe e kësaj shoqërie.
“Ne nuk do ndalemi se beteja jonë nuk është për një njeri të vetëm, nuk është beteja për prijësin tonë, beteja jonë është beteja e të ardhmes evropiane të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë, është beteja e këtij qyteti dhe e kësaj shoqërie. Projekti ynë nuk është projekt të shpëtojmë një njeri të vetëm nga burgu dhe familjen e tij, projekti ynë është anëtarësimi europian i Shqipërisë tonë që ka pritur me shekuj të tërë dhe kjo gjë ka për të ndodhur. Do ta fitojmë 11 majin se ne na mbështesin njerëzit e punës, mbështesin ata qytetarë që sot janë të shqetësuar, mbështesin të gjithë ata që në këtë qytet kanë votuar gjithmonë punën, kanë mbështetur punën dhe e dinë shumë mirë që e ardhmja është e ardhmja e atyre fëmijëve që po presin Evropën në Shqipëri dhe Shqipërinë në mes të Evropës. Askush nuk ka për ta ndalur të ardhmen tonë, askush nuk ka për ta ndalur të ardhmen e fëmijëve tanë, askush s’ka për ta ndalur Tiranën dhe Shqipërinë sado që të bërtasin dhe sado që krijojnë kauza nga asgjëja”, tha ai.

Gogu tha se Veliaj nuk ka nevojë për avokatinë e tij, teksa theksoi se Veliajn e ka pasur dhe do ta ketë mik gjithmonë. “Ai nuk ka nevojë për avokatinë time. E kam pasur mik dhe do ta kem gjithmonë, sidomos në një ditë si kjo. Avokatinë unë ja bëra këtij qyteti, sepse pikërisht ka një armik si ju. Meqenë se më bëtë disa pyetje për zotin, unë s’jam teolog, po kam shërbyer në kish, e dua Zotin, jam besimtar praktikant.
E kam biblën këtu përpara, bibla fillon me një histori vëllavrasje dhe Zoti e pyet vëllanë, çfarë bërë, dëgjo po më thërret nga toka gjaku i vëllait tënd. Thërret gjaku i katër jetëve atje doktor. Kjo është pyetja për drejtësinë, si hesht për një gjak që thërret aty dhe nxiton të gjejë gjilpërat nëpër fustane e nëpër kashtë”, deklaroi Gogu.

Deputeti Gogu solli në vëmendje transformimin e jashtëzakonshëm të Tiranës nën lidershipin e Erion Veliajt. “Ndërsa ne ndërtuam këtë drejtësi të pavarur, kërkojmë që edhe standardet të jenë evropiane dhe jo të mbyllë sytë për vrasjet dhe të kërkojë gjilpërën në kashtë për punët në këtë kryeqytet. E shihni Tiranën sot, e shihni dhe e krahasoni me 10 vite përpara me Tiranën e përgjumur, me Tiranën që vinte rreth e rrotull bishtit të vet dhe vetëm shikoni sheshin Skënderbej, që nga një anë është një kryevepër e arkitekturës botërore, nga ana tjetër është sheshi i ndërgjegjes së të gjithë shqiptarëve ndërsa mblidhen të lute, ndërsa mblidhen të festojnë, ndërsa mbinë të lodrojnë me fëmijët e tyre. Shkoni pas më tutje tek Piramida, te ajo karakatinë 10 vite më parë dhe sot qëndron si një monument i inovacionit, një inkubator i mrekullueshëm i të ardhmes së inteligjencës artificiale. Sot në mëngjes jam i sigurt që kolegë nga të dyja anët kanë shëtitur në parkun e liqenit dhe kanë dëgjuar hapat e atyre që vrapojnë, e akne dëgjuar fëmijët që luajnë dhe kanë parë dhe kanë nuhatur atë pyll të ribërë ndërkohë që 10 vite përpara nuk ecje dot dhe bije në pusetat e të atij të ashtuquajturi park atëherë. Apo doni të flasim për Unazën e Madhe, këtë mushkëri që tashmë transporti i qytetit merr frymë lirisht, kush e bëri këtë? E kanë bërë njerëzit e punës”, deklaroi Gogu.