Maxhoranca dhe opozita u përplasën ashpër të enjten në Kuvend, kryesisht për arrestimin e Kryetarit të Bashkisë Erion Veliaj. Situata degjeneroi në konfrontim fizik në dy episode, një kur Flamur Noka hodhi në tokë një gardist dhe qëlloi me shishe në drejtim të Taulant Ballës, dhe tjetra kur Petrit Doda u duk sikur hoqi rripin e pantallonave për të goditur socialistët.
Në fakt Doda kishte shkulur mikrofonin e foltores, duke tentuar të godiste ministrat e ulur në sallë, si Taulant Balla apo të tjerë.
I pyetur lidhur me këtë episod, ai shpjegoi pse ishte ndjerë i revoltuar, e madje hoqi live në studio rripin e pantallonave dhe e vendosi në tavolinë përgjatë gjithë kohës së bisedës. “Ministri Manja, më vjen keq se është edhe Dibrani im, tha që jeni budallenj”, tregoi Doda. “U ofendova në radhë të parë se e tha një ministër, dhe një dibran i imi… Kjo ishte arsyeja. Ishim në situatë shumë të qetë. Prisnim të kalonim edhe kodin zgjedhor…”.
I pyetur pse shkuli mikrofonin, ai u përgjigj: “Jo të shkulësh mikrofonin… Është moment shumë, shumë i vështirë për ne që jemi në Parlament. Tjetri të bën edhe për budalla. Jo vetëm që vjedh, shantazhon, por të bën edhe budalla në mes të Parlamentit. Unë shpreh revoltën time… Ai e meriton ndryshe, por mjafton me kaq për sot. Ne nuk na kanë votuar njerëzit për të bërë sherr e shamatë. Ne nuk kemi shkuar për mundës”.