Nga Enver Robelli/
Si sot më 15 shkurt 1909 doli në Boston të Shteteve të Bashkuara të Amerikës numri i parë i gazetës “Dielli”.
Ajo u botua nga shoqëria kombëtare “Besa-Besën”, e cila qe themeluar dhe drejtohej nga Fan Noli. Ai u zgjodh edhe drejtor i parë i “Diellit”.
Puna për shtypjen e gazetës filloi në një bodrum të errët në 100 Hudson Street. Siç njofton Ilir Ikonomi në biografinë e tij të detajuar të Fan Nolit, radhitjen e gazetës e bëri Fan Noli bashkë me Thimaq Natsin, duke lëvizur me këmbë rrotën e makinerisë.
Në muajin e parë gazeta nuk u shtyp plotësisht sipas rregullave të Alfabetit të Manastirit, të miratuar një vit më herët nga elitat intelektuale shqiptare, sepse një kompanie ku Noli porositi shkronjat, i mungonte shkronja “ë”, pra “e” me dy pika sipër.
Në numrin e 12 marsit, sipas Ilir Ikonomit, bizneset shqiptare të mërgatës që bënin reklamë te “Dielli” ishin: Hotel-Restaurant Scanderbeg, Cigare e Duhan Scanderbeg King of Albania, Hotel-Restaurant Yll’ i Shqipërisë, Albanian Restaurant Darda, Albanian Restaurant and Biliardo Liria, Alex Dosi – mashina për honé (mprehje thikash).
Në tetor të vitit 1909 drejtimin e “Diellit” e mori Faik Konica. Ardhja e tij u paralajmërua më 14 mars 1909 dhe qindra shqiptarë të tubuar në një sallë në Boston brohoritën: “Rroftë Shqipëria! Rroftë Dielli! Rroftë Faik Bej Konica”.
Kur arriti në Boston më 14 tetor 1909, Konica i dërgoi një telegram zyrës së “Diellit” me këtë shënim: “Arriva. Shëndet të gjithëve. Mirë se ju gjetsha! Rroftë flamuri! Shënt Gjergji për Shqipërinë!”.
Nga numri 142 (2 maj 1912) gazeta u bë organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës “Vatra”. Ndonëse në faza të caktuara gazeta doli edhe me emra të tjerë, ajo i qëndroi besnik një misioni: përkrahjen e lëvizjes për çlirimin, pavarësimin dhe iluminim të kombit shqiptar.
Në vitet 1920-1924 “Dielli” mbështeti kryesisht idetë e Fan Nolit për reformimin e Shqipërisë, andaj më 1922 dhe 1923 u ndalua shpërndarja e saj në Shqipëri. Më vonë “Dielli” përkrahu Mbretërinë e Zogut.
Pas Luftës së Dytë Botërore gazeta fillimisht përshëndeti fitoren e forcave antifashiste, por pas konsolidimit të diktaturës komuniste, “Dielli” kundërshtoi dhe kritikoi ashpër represionin brutal të regjimit të ri.
Gazeta “Dielli” vazhdon të botohet deri në ditët e sotme. Nganjëherë historia luan lojëra të paparashikueshme: po atë ditë që doli “Dielli”, më 15 shkurt 1909, u ndërpre botimi i revistës “Albania” të Faik Konicës.