E priste ndryshe këtë ditë. Berat Gjimshiti mbushi 32 vjeç pikërisht këtë të mërkurë të 19 shkurtit, dhe dëshira ishte që ta festonte me kualifikimin në Champions.
Shpresat ishin edhe pse Atalanta dilte në fushë pas humbjes 1-2 në Bryzh të Belgjikës, veçse futbolli nuk të jep kurrë garanci.
Kapiteni I kombëtares shqiptare kaloi një nga mbrëmjet më të vështira të karrierës, pasi belgët I shkaktuan italianëve humbjen e dytë radhazi, duke fituar këtë herë 3-1 në Bergamo e duke shkuar në të tetat e finaleve. Gjimshiti e mori urimin nga klubi, me një mesazh në faqet zyrtare në rrjetet sociale, pikërisht në mesnatë.
Ishte një ngushëllim i vogël. Mëkat sepse sezoni i tij ka qenë tepër i mirë, me dy gola dhe një asist në 35 ndeshje gjithsej, një nga vitet më të ngarkuara që ai mban mend. Atalanta ishte dhe mbetet dinjitoze në Serinë A, ku ka ende shpresa për titull, ishte ambicioze në Ligën e Kampionëve, ndonëse u eliminua në çerekfinale të Kupës së Italisë.
Kapiteni kuqezi provoi edhe finalet e Superkupës së Europës, dhe gjysmëfinalen e Superkupës së Italisë. Në moshën 32-vjeçare nuk dihet se ku do të jetë sezonin që vjen, por së pari Gjimshiti dhe Atalanta kanë detyrë të sigurojnë sërish kualifikimin për në Champions edicionin tjetër.