Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) fton studiuesit, ekspertët e arkivave të trojeve shqiptare dhe të mbarë rajonit, si edhe çdo të interesuar të bashkësisë shkencore, për të marrë pjesë në botimet e vitit 2026.
Drejtori i përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido tha në një deklaratë për shtyp se “për vitin e katërt radhazi, DPA-ja, e rikthyer në funksionin e botueses periodike, publikon studime mbi periudha dhe figura të rëndësishme në historinë e vendit. Po ashtu, pjesë e publikimeve të përvitshme janë edhe udhëzuesit mbi metodologjinë arkivore në hapësirën kombëtare”.
“Me synimin për të dhënë një kontribut në historiografinë shqiptare, DPA-ja propozon tematika që përkojnë me përvjetorët e ndodhive historike, me lindjen dhe me vdekjen e disa prej emrave më të angazhuar në veprimtarinë publike. Mes tematikave të dedikuara botimeve të këtij viti, sugjerojmë të trajtohen jubilarë të rëndësishëm, sikurse janë: Diplomacia shqiptare gjatë periudhës së Republikës (1925-1929); 130-vjetori i lindjes së Mujo Ulqinakut; 110-vjetori i themelimit të Komisisë Letrare të Shkodrës; 110-vjetori i vdekjes së Isa Boletinit; 100-vjetori i vdekjes së Aqif Pashë Elbasanit; 80-vjetori i vdekjes së Lef Nosit”.
Sipas tij, risia e këtij viti është publikimi i një udhërrëfyesi arkivor, që do të ketë për qëllim orientimin e studiuesve në procesin e kërkimit online, në platformën e Sallës së Studimit apo në Këndet Arkivore të çelura në dhjetëra qytete në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi, në Greqi dhe në jug të Italisë.
Për secilën prej këtyre gjinive të botimeve, të interesuarit duhet t’i drejtohen adresës botime.arkiva.gov.al për të depozituar kërkesën e tyre për pjesëmarrje dhe abstraktet e punimeve të propozuara.
“Po ashtu, në materialet të mundshme për botim përfshihen përmbledhjet e dokumenteve për një periudhë, çështje apo personalitet historik; punimet monografike të lidhura me historikun e arkivave, sfidat dhe problematikat e tyre në Shqipëri e më gjerë; botimet e dokumenteve në gjuhë të rralla (osmanisht, greqisht, latinisht etj.); botimet e akteve ligjore dhe nënligjore për punën me dokumentet arkivore; inventarët, katalogët dhe treguesit e punës kërkimore në arkiva”, theksoi Bido.
Bido tha se “çdo punim i paraqitur nuk duhet të kapërcejë kufirin prej 400 mijë shkronjash dhe shenjash, ose të 10 fletëve tipografike”. Thirrja për pjesëmarrje do të qëndrojë e hapur deri më datën 5 prill 2025.