Milan u eliminua nga Champions League në raundin play-off, pasi barazoi 1-1 ndaj Feyenoord në San Siro, duke humbur me rezultatin e përgjithshëm 2-1.
Ndeshja nisi në mënyrë perfekte për kuqezinjtë, teksa pas vetëm një minute Malick Thiaw e mbajti topin në lojë dhe e ktheu në zonë, ndërsa Santiago Giménez shënoi me kokë.
Skuadra italiane dominoi pjesën e parë, ndërsa João Félix gati sa nuk dyfishoi avantazhin me një goditje të fortë, por portieri Timon Wellenreuther bëri një pritje fantastike.
Pavarësisht presionit të Milanit, Feyenoord nuk u dorëzua dhe mbrojti me qetësi.
Rafael Leão pati një rast të artë, por Wellenreuther e ndali sërish. Gjërat u përkeqësuan për Milanin në minutën e 66-të kur Theo Hernández u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë për simulim në zonë, duke lënë skuadrën me 10 lojtarë.
Me një lojtar më shumë, Feyenoord shfrytëzoi momentin dhe shënoi në minutën e 72-të. Hugo Bueno dha një kros perfekt nga e majta dhe Julián Carranza shënoi me kokë, duke i dhënë avantazhin holandezëve.
Pavarësisht përpjekjeve të Milanit në minutat e fundit, Feyenoord menaxhoi lojën dhe siguroi kualifikimin në fazën e 1/8-ve të UCL për herë të parë pas 50 vitesh.