Nga Mero Baze/
Në këtë histori të sjelljes së politikës ndaj SPAK-ut dhe drejtësisë së re në përgjithësi, janë vendosur dy standarde. Standardi i Sali Berishës, që i shan me libër shtëpie të gjithë prokurorët e SPAK dhe GJKKO-së, duke nxjerrë edhe fotot e grave në konferencë shtypi, dhe standardi i Edi Ramës, i cili e konsideron SPAK-un dhe drejtësinë e re arritje të tij dhe kërkon që ata të ruajnë integritetin dhe pavarësinë, jo vetëm nga ai, por edhe nga Sali Berisha.
E vërteta e hidhur është se SPAK dhe drejtësia e re, gjatë kësaj kohe që ka funksionuar mes debatesh të egra, ka provuar se është më e ndjeshme ndaj presioneve sesa ndaj respektit; është më e përulur dhe gojëmbullur ndaj shantazheve sesa ndaj atyre që e ndihmojnë të bëjë punën e saj; është më e heshtur ndaj fyerjeve direkte të Berishës, Metës apo kujtdo tjetër, sesa ndaj kritikave të Edi Ramës. Dhe jo vetëm SPAK, por e gjithë struktura e drejtësisë së re.
Unë mund të numëroj të paktën 100 konferenca shtypi të Sali Berishës dhe Ilir Metës që kanë sharë kryetarin e SPAK me libër shtëpie dhe gjyqtarët e GJKKO-së në breza, dhe nuk ka asnjë deklaratë të KLP apo KLGJ.
Kritikat e sotme të Edi Ramës ndaj SPAK dhe GJKKO-së, që lidhen me faktet e provueshme se ato institucione po i përdorin njerëzit e Berishës për llogari politike, shkaktuan menjëherë reagimin e tyre, duke deklaruar se nuk duhet cënuar pavarësia e tyre.
Problemi është se pavarësia e SPAK dhe GJKKO nuk cenohet vetëm nga qeveria, por edhe kur opozita i përdor ato për qëllime elektorale.
Arrestimi i kryetarit të Bashkisë së Tiranës, që është edhe drejtues politik i një të tretës së vendit, në fillim të fushatës elektorale, pa asnjë arsye thelbësore për t’u arrestuar, është përfshirje direkte e drejtësisë në politikë.
Dhe ashtu siç nuk është e ndaluar të protestosh kur politika merret me drejtësinë, ashtu dhe nuk është e ndaluar të protestosh kur drejtësia merret me politikë.
Nëse e heton me kriteret e krimit elektoral, përfshirja e prokurorit të SPAK dhe gjyqtarit të GJKKO në arrestimin e Veliajt për inate politike, është një krim i pastër elektoral, madje edhe i hetueshëm, sikur të kishim një drejtësi të pavarur.
Është nga rastet shembullore kur drejtësia merret me politikë dhe jo nga rastet kur politika merret me drejtësi.
Por është shumë mirë që reagojnë institucionet. Është shumë mirë që KLP dhe KLGJ reagojnë që politika të mos paragjykojë punën e tyre, por ata duhet të vendosin një standard kur reagojnë.
Është e lehtë të reagosh ndaj atij që të respekton dhe të konsideron si institucion të krijuar prej politikës së tij. Problemi është të reagosh për të ruajtur standardin e pavarësisë së drejtësisë nga politika dhe jo për të ruajtur pisllëkun e marrjes së drejtësisë me politikë.
Dhe po sjell këtu një rastin tim zhgënjyes me ta.
Unë mund të jem gazetari më konsekuent si mbështetës i Reformës në Drejtësi, qysh kur u ideua në vitin 2015. Madje në disa raste jam bërë qesharak duke mbrojtur edhe gjëra që nuk mbrohen në banalitetin e drejtësisë. E kam bërë këtë sepse e kam hequr në kurriz drejtësinë e vjetër; e kam hequr në kurriz Gjin Gjonin apo bandën e gjyqtarëve që këtej më dënonin mua për t’i bërë qejfin Sali Berishës, dhe nga ana tjetër lëshonin trafikantë droge për të mbushur xhepat me miliona, dhe ishin të justifikuar se kishin dënuar një armik të Berishës.
Sado e keqe dhe me të meta të jetë kjo drejtësi, as ka të krahasuar me atë qelbësirë që ishte.
Por për të kuptuar se sa të kompleksuar janë këta nga ata që i sulmojnë dhe sa serbes janë me ata që i mbështesin, e provova një muaj më parë kur akuzat ndaj Veliajt u bënë publike dhe unë bëra një editorial për të kuptuar se kush ishte ky Anesti Angoni, që di gjithçka për jetën e Veliajt dhe disa biznesmenëve, që ka akses në çdo dokument shtetëror dhe që SPAK e merr shumë seriozisht, sikur të ishte një institucion.
Njëri më thoshte se është shërbimi grek, se ka lidhje me Olsi Dadon; tjetri më thoshte është Belinda Balluku se ka sherr me Erion Veliajn; të tjerë më thoshin është vetë SPAK, por ka sajuar letër anonime.
Të gjitha mu dukën qesharake dhe nuk hyra në atë kurth, por thjesht kërkova të di kush është.
Dhe e di çfarë ndodhi?
Dy kolege gazetare më raportuan se Olsi Dado doli duke shfryrë nga zyra dhe i kërkonte këshilltarit të SPAK për shtyp, zotit Zhilla (të cilin nuk e njoh), të bënte një deklaratë për shtyp për marrjen në pyetje të Veliajt, dhe nga dy akuza, Veliajt t’ia bënte katër, “meqë e mbroka ky Mero Baze”.
U shokova.
Do të thotë që një gazetar që i ka mbrojtur 7 vite nga çdo sulm, përfshi edhe këta të SPAK kur i sulmonte Berisha kot, që i kam mbrojtur edhe kur kanë arrestuar të njohur të mi, ish-zyrtarë, mjaftoi që unë të pyesja kush është ky denoncues anonim dhe me arbitraritet SPAK t’i shtonte dy akuza në deklaratën për shtyp.
Kjo është e pabesueshme ta thuash, por është fakt publik. Është fakt publik procesverbali i marrjes në pyetje të Veliajt që i kanë komunikuar dy akuza, dhe fakt publik deklarata e SPAK pas shkrimit tim që i janë shtuar edhe dy akuza të tjera.
Nuk di çfarë ta ketë tërbuar prokurorin, përveç faktit se mund të jetë ndonjë prej atyre tre skenarëve që më thanë më lart se kush mund të jetë Anesti Angoni. Do të thotë ose ai skenari i shërbimeve të huaja, ose ai skenari i sajuar nga vetë SPAK.
Tani, nëse një politikani të lartë i shtohen dy akuza vetëm pse e ka mbrojtur një gazetar, atëherë këtu kemi një problem. Ose kemi një drejtësi të targetuar politikisht, ose kemi një drejtësi qesharake që ngre njëherë akuza, pastaj gërmon për fakte.
Dhe kjo më ka bërë të reflektoj për integritetin e tyre në tërësi. Jo për këtë Olsi Dadon, se këtë e njoh prej kohësh kur kemi qenë bashkë militantë të PD-së, dhe nuk pres ndonjë gjë tjetër prej tij. Por për logjikën se si të njëjtët prokurorë apo gjykatës sillen si mace me ata që i masakrojnë publikisht dhe si sillen si tigra me ata që i mbështesin, duke u përkëdhelur si të rrezikuar.
Dhe pas kësaj vrapojnë e raportojnë te Sali Berisha për t’u siguruar nëse janë në rregull me të.
Në rregull janë. Dhe mirë që kanë një kryeministër për të cilin mund të ankohen që nuk i lë t’i shërbejnë Sali Berishës, se do kishin vdekur pa ua dëgjuar zërin.