Ish-kryediplomati shqiptar, Paskal Milo ishte këtë të diel i ftuar në “Interview” me Mirela Milorin në Euronews Albania ku ka ndarë disa nga momentet më të veçanta të karrierës së tij politike, por edhe për pengjet e jetës së tij, një prej të cilave është futbolli.

Milo tha se ky ka qenë pasioni i tij më i madh që e ka ndjekur që nga fëmijëria, por që e braktisi për të ndjekur një tjetër rrugëtim, atë të gazetarit e më pas të politikanit. Megjithatë nëse do e takonte veten 20 vjeç, ai tha se do i thoshte të ndiqte pasionin për futbollin, pasi do kishte pasur një jetë më të lehtë e ndoshta më të pasur.

“Ndiq atë rrugë që kam ndjekur unë. sigurisht në rrugë e sipër ke pasur dhe pengesa dhe mund të mos i kesh kapërcyer. Por në mënyrë të veçantë do i thoja. Nëse do dëshiroje një jetë të lehtë dhe po të ishe sot 20 vjeç, të vazhdoje pasionin tënd të futbollit, sepse do të ishe bërë një futbollist shumë i dëgjuar sot dhe i pasur. E kam lënë futbollin në mënyrë dramatike në kulmin tim, sepse u emërova gazetar në “Zërin e Popullit”. E lash me dhimbje shumë, nuk kam vajtur një vit në stadium se nuk i shikoja dot shokët e mi që luanin. Deri vonë kam luajtur në mënyrë të rregullt. Ishte pasion i rinisë. Çanta e sportit dhe librat bashkëjetuan me mua edhe në gjimnaz edhe në universitet deri sa u emërova”,-tha Paskal Milo.

I pyetur se çfarë do i thoshte vetes nëse do e takonte 95 vjeç, ish-ministri u përgjigj:

“Mbylli hesapet sa më shpejt që të jetë e mundur, lër ç’ke akoma mangët për ti lënë kësaj bote”.

Ai tha se një nga kujtimet më të bukura të karrierës së tij politike është koha kur ishte ministër i jashtëm i Shqipërisë, kohë kur është ndier i vlerësuar nga presidenti i atëhershëm i SHBA-ve Bill Clinton, i cili e ka përmendur në dokumente duke e thirrur në emër.

“Kam respekt për presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës të asaj kohe, Bill Clinton. Ishte një njeri i thjeshtë. Unë isha Ministri i Jashtëm i një vendi të vogël të cilin ai mund të mos e kishte pasur fare në konsideratë, sepse ne jemi një vend i vogël.

Por ai ishte kaq i madh enë edukatën dhe kulturën e tij dhe kaq i vlerësonte edhe kontributet e vogla, në situata të tilla të ndërlikuara siç ishte konflikti në Kosovë, saqë ai më takonte, më njihte dhe më fliste në emër dhe më ka përmendur në dokumente me emër. Për mua është kënaqësi e veçantë që një president i SHBA-ve të thërriste në emër dhe të linte gjurmë në dokumentet e tij duke më përmendur në emër”,-tha Paskal Milo.