Nga Baton Haxhiu/
Nuk na ndodh shpesh të ndihemi krenarë për kryeministrin, por ka momente kur qëndrimi i tij shkon përtej politikës së ditës dhe bëhet një mesazh më i gjerë për vlerat që mbrojmë. Kur shumë liderë zgjedhin të heshtin, Edi Rama ka treguar se guximi për të folur nuk është vetëm një akt politik, por edhe një detyrim moral.
Në bisedën me Volodymyr Zelensky-n, ai e bëri të qartë se nuk mund të ketë zgjidhje për Ukrainën pa Ukrainën dhe pa Evropën. Në një kohë presionesh dhe kalkulimesh diplomatike, të mbash një qëndrim të tillë është më shumë sesa politikë – është një zgjedhje me peshë historike. Ai tregoi se nuk ka nevojë të jetë kundër por të jetë me vlerat që përfaqëson.
Kjo nuk është as e re dhe as e rastësishme. Kthehemi vetëm një vit pas.
Kur ambasadori rus në Këshillin e Sigurimit të OKB-së iu drejtua Edi Ramës, duke e akuzuar se mbajtja e një seance të posaçme për Ukrainën ishte jashtë rregullave, përgjigja e kryeministrit shqiptar ishte aq e thjeshtë sa edhe therëse: “Ndaleni luftën dhe nuk kemi nevojë për mbledhje të Këshillit të Sigurimit”.
Në atë moment, fjalët e tij nuk ishin thjesht një kundërpërgjigje diplomatike, por një reflektim i një të vërtete më të madhe: politika shpesh mbështillet me rregulla e procedura, por nuk mund të ketë asnjë rregull që justifikon pushtimin dhe shkatërrimin e një kombi.
Qëndrimi i Ramës nuk ishte një akt i rastësishëm.
Ai ishte një qartësim i një angazhimi që kishte marrë formë më herët, kur vizitoi Kievin ndër të parët mes liderëve botërorë, duke treguar se nuk është vetëm retorika ajo që përcakton një udhëheqës, por edhe guximi për të vepruar. Në një kohë kur shumë liderë botërorë preferuan të qëndrojnë në distancë, duke pritur zhvillimet, ai ishte aty, në zemrën e një vendi që lufton për mbijetesën e tij, duke dërguar një mesazh të qartë se Evropa nuk mund të jetë indiferente ndaj fatit të Ukrainës.
Sot, teksa disa zëra politikanësh tentojnë të shtyjnë për një zgjidhje pa Ukrainën dhe pa Evropën, qëndrimi i Ramës mbetet i palëkundur dhe ai ishte i qartë duke deklaruar se ata që vuajnë pasojat e luftës duhet të jenë në tryezën e bisedimeve. Kjo nuk është vetëm një çështje politike, por një domosdoshmëri morale dhe historike. Një zgjidhje e imponuar nga ata që kërkojnë stabilitet mbi drejtësinë nuk është as zgjidhje, as paqe.
Ai këtë qëndrim prej burrshtetasi e ka pas edhe për Kosovën kur të tjerët luanin me luftën.
Në Konferencën e Sigurisë së Mynihut, kur diplomatja gjermane Christiane Hoffmann, me lot në sy, foli për vlerat evropiane, ajo nuk po fliste vetëm për një krizë gjeopolitike, por për një sfidë ekzistenciale se
A do të mbijetojë Evropa si një bashkësi e vlerave apo do të kthehet në një hapësirë interesash të ngushta politike? A do të mbizotërojë fuqia e armëve apo fuqia e fjalës dhe e ndërgjegjes?
Historikisht, momentet e mëdha nuk janë përcaktuar nga ata që heshtin, por nga ata që guxojnë të flasin. Kujtojmë Winston Churchill-in, i cili nuk pranoi një paqe të rreme me nazistët, apo Václav Havel-in, i cili përdori fjalën si armën më të fuqishme kundër totalitarizmit. Në këtë kontekst, qëndrimi i Edi Ramës nuk është thjesht një akt diplomatik, por një shprehje e një filozofie më të thellë: se politika, në formën e saj më të lartë, nuk është vetëm strategji, por edhe akt moral, një betejë për të vërtetën në një botë ku shpesh mbretëron hipokrizia.
Në një kohë kur shumë heshtin, një fjali e thjeshtë – “Ndaleni luftën dhe nuk kemi nevojë për mbledhje të Këshillit të Sigurimit” – mbetet një dëshmi se forca e mendimit dhe e fjalës mund të sfidojë edhe logjikën e dhunës.
Dhe kjo, në vetvete, është thelbi i vlerave evropiane që Hoffmann mbrojti mes lotëve. Një kujtesë e fortë se fuqia e vërtetë nuk matet me armatime, por me të drejtën për të mbrojtur atë që është e drejtë.