Nën presionin e një fushate politiko-mediatike që vazhdon prej më shumë se një viti dhe 45 protestave të personalizuara para bashkisë, të mbështetura nga burime të ndryshme që duken më shumë si një linçim personal sesa si një aksion politik, vëtëm tre muaj para zgjedhjeve, SPAK ka reaguar duke arrestuar kryetarin e bashkisë së Tiranës Erion Veliajn dhe gruan e tij. Asnjë nga akuzat e pretenduara deri tani nga opozita nuk është marrë parasysh, pasi hetimet e SPAK-ut bazohen ekskluzivisht në një kallëzim anonim, i cili dyshohet se është hartuar nga dikush brenda institucioneve.
Megjithatë 356 faqet e dosjes që Spak ka mbushur me provat dhe akuzat e mbledhura për të çuar në arrestimin në burg të Erion Veliajt dhe arrest shtëpie të bashkëshortes së tij Ajola Xoxe, tregojnë, përtej konkretësisë së fakteve të ekspozuara për të cilat nuk ka pak dyshime, forcën me të cilën SPAK, kur do, arrin të thellohet në kërkime. Për të akuzuar familjen e kryebashkiakut të kryeqytetit për korrupsion aktiv, prokuroria speciale ka vënë në dispozicion një sasi njerëzish, mjetesh dhe idesh të papara në asnjë hetim tjetër kundër një zyrtari publik deri më sot. Për herë të parë janë transkriptuar mijëra komunikime në WhatsApp: janë ato mes Ajola Xoxes dhe bashkëpunëtorëve të saj të mbledhura në mijëra e mijëra faqe. Nga qindra celularë të sekuestruar nga BKH gjatë hetimeve të kryera deri më tani, asnjë transkriptim i mesazheve nuk ishte parë më parë, të vetmet që janë lexuar në dosjet e Spak ishin ato të SKYY ECC ose Encrochat të transkriptuar nga hetues të huaj dhe vetëm kundër trafikantëve. Për herë të parë është bërë zbardhje e çdo detaji të pasqyrave financiare të dhjetëra kompanive dhe OJF-ve, duke përfshirë në dosje listat e klientëve dhe furnitorëve, informacion që deri më tani kishte mbetur konfidencial në hetime të tjera.
Por SPAK e ka tejkaluar veten duke analizuar edhe trafikun që kalon nëpër antenat e telefonisë celulare, për të treguar se telefoni i Erion Veliajt ka qenë i pranishëm në raste të ndryshme në zonën e Qerretit, ku sipas prokurorisë ai ka një vilë të padeklaruar. Është një teknikë që përdoret zakonisht për të demonstruar praninë e një vrasësi në një vend vrasjeje, por këtë herë shërbeu për të demonstruar se Erion Veliaj ndodhej në një zonë të përputhshme me fshatin ”Marea” të Qerretit ku ndodhet vila ”4A”, që thuhet se është e vjehrrit të tij. Madje, SPAK raporton në dosje edhe rezultatin e kontrolleve të kryera në dhomat e frekuentuara nga çifti Velija-Xoxe, duke përshkruar me detaje se çfarë gjeti në garderobë, vendosjen e dhomave të gjumit dhe zyrave, madje edhe praninë e lodrave dhe veshjeve të djalit 6-vjeçar të kryebashkiakut, një tjetër dëshmi e përdorimit të vilës nga familja. Sikur prania e lodrave në shtëpinë e gjyshit të mos ishte një gjë normale.
Por nëse i është kushtuar kaq shumë vëmendje këtyre aspekteve, hetimi i SPAK-ut tregon shumë boshllëqe kur vjen puna për të provuar akuzën kryesore, atë të korrupsionit. Vila në Qerret që sipas Spak-ut është në disponim praktik të familjes së Erion Veliajt (dhe që sipas kryebashkiakut është blerë nga babai i Ajola Xoxes në vitin 2017 me një kontratë shkëmbimi me firmën e ndërtimit AgiKons, e cila e konfirmon), do të ishte shpërblimi që sipërmarrësi Gentjan Sula (pronar i firmës) i pagoi kryetarit të Bashkisë në shkëmbim të tenderave publikë të marrë nga Bashkia. Sipas SPAK-ut, AgiKons ka marrë punë mbi 1 miliardë e gjysmë lekë nga Bashkia në vite të ndryshme, por në këmbim do t’i jepte kryebashkiakut një vilë dhuratë 110 mijë euro! Realisht nuk është as dhuratë, sepse babai i Ajolës ka dorëzuar në këmbim të asaj vile (dhe Spak nuk e mohon) një apartament 80 mijë euro të blerë në vitin 2007 në të njëjtin fshat pushimesh dhe diferenca prej 30 mijë euro mbetej për t’u paguar. A është e besueshme që për të marrë 150 milionë euro punë një kryetari bashkie do t’i jepej ryshfet me 30 mijë euro?
E çuditshmja është se sipas SPAK tenderët e fituar nga AgiKons janë të dyshimtë jo sepse kjo del nga dokumentet e tenderave (nuk dihet nëse SPAK i ka sekuestruar ndonjëherë apo jo), por sepse në faqen e internetit ”openprocurement.al” janë shënuar me “flamurin e kuq”.
Faqja e hapur procurement.al nuk është një institucion publik dhe i pavarur, por një sit privat i financuar nga Instituti Shqiptar i Shkencave, një Ojf e drejtuar nga Aranita Brahaj. Si mund të mbështetet Spak në vlerësimet e tij për të bërë akuza kaq të rënda? Megjithatë për këtë aferë sipërmarrësi Gentjan Sula ka marrë masën e sigurimit ”detyrim paraqitje” për korrupsion aktiv. Gentjan Sula që dyshohet se i ka dhënë ryshfet Erjon Veliajt, është edhe një nga financuesit e televizionit të Sali Berishës të cilit i ka dhënë pa pagesë mjediset në të cilat ndodhen redaksia dhe studiot. Me pak fjalë, si për të thënë se financuesi i Berishës financon edhe rivalin e tij politik. Mirëpo, për këtë favor të dyshimtë që iu bë Sali Berishës, Gentjan Sula nuk u hetua asnjëherë.
E njëjta akuzë rëndon edhe mbi Fatmir Bektashin: ndërmjet viteve 2022 dhe 2024 sipërmarrësi sponsorizoi një festival të organizuar nga një Ojf e Ajola Xoxes që organizon evente artistike dhe kulturore me 65 mijë euro. Sipas SPAK, ky është ryshfeti i paguar në këmbim të 6 lejeve të ndertimit për dhjetëra kulla me vlerë dhjetëra milionë euro që Fatmir Baktashi ka marrë nga Bashkia e Tiranës që kur Erjon Velija ishte kryetar bashkie. Duhet thënë se një nga 6 lejet e akuzuara është ajo për ndërtimin e një pjese të kullave së ish kompleksit Partizani, bashkëpronar i së cilës është Jamarber Malltezi (ortaku i Bektashit), dhëndri i Sali Berishës, i cili është në arrest shtëpie për atë skandal. Përfundimi që del nga hetimet është se ortaku i dhëndrit të Sali Berishës i ka dhënë ryshfet dorës së djathtë të Edi Ramës.
Por kjo nuk është e vetmja gjë e çuditshme. Mes sipërmarrësve të hetuar për ryshfet ndaj Erjon Veliajt është edhe Sokol Kryeziu, i cili sipas Spak-ut ka marrë punë nga subjektet e kontrolluara nga Bashkia e Tiranës për mbi 6 milionë euro, plus disa leje ndertimi. Në këmbim Kryeziu akuzohet se ka blerë dy piktura me vlerë 50,000 euro nga një galeri arti që i atribuohet Ajola Xoxes, të paktën 13,000 prej të cilave i kanë shkuar artistit, Idlir Koka. Por bakshishi (i supozuar), më i ulëti në histori që gjendet në dosje, është ai i kontestuar ndaj Shkëlqim Fushës, një sipërmarrës që sipas Spak-ut ka fituar nga Bashkia e Tiranës e drejtuar nga Erjon Veliaj vepra publike për të paktën 200 milionë euro. Akuza për të cilën Fusha mori masën e “detyrim paraqitje” për korrupsion, është ajo se ka paguar për këshilla ligjore duke i kaluar në formë indirekte Ajola Xoxes (pronarja e një studioje ligjore) shumën prej 13 mijë eurosh. A është e besueshme?
Një pjesë e madhe e dosjes i është kushtuar fondeve që OJF-ja e Ajola Xoxes ka përfituar nëpërmjet projekteve kulturore nga Bashkia e Tiranës, dhe do t’i takojë gjykatës ta vërtetojë nëse kjo ka ndodhur dhe, mbi të gjitha, nëse një grua mund të korruptojë burrin e saj. Kapitulli më i nxehtë është më pas lista e 86 milionë lekëve të shpenzuara për blerje online të veshjeve, që sipas SPAK-ut janë kryer nga Ajola Xoxe gjatë 6 viteve për konsum personal, por që sipas Erion Veliajt ishin blerje të destinuara për aktivitete artistike të organizuara nga ajo. Edhe kjo akuzë, përveç aspekteve etike, duhet të vërtetohet nga gjykata, si dhe nëse mund të përbëjë një vepër penale.
Shumat e kundërshtuara si rysfhet, megjithatë duken si thërrime qesharake në krahasim me faturat e qindra mijëra eurove që juristja Argita Berisha apo vëllai i saj Shkëlzen arkëtuan në vitet e arta kur babai ishte kryeministër dhe i shpërblente klientët e fëmijëve të tij duke i dhënë Vkm të personalizuara, kontrata dhe përfitime të tjera publike. Megjithatë SPAK nuk i hetoi kurrë ato fatura. Dhe ankandet e pikturave që Liri Berisha organizonte për të financuar Ojf-n e saj, tek të cilët u dyndën sipërmarrësit që ishin klientë të burrit të saj me xhepat plot para dhe me shumë bujari në zemër?
SPAK nuk i hetoi kurrë as këto. Po vilat që ish-ministrat e Berishës kanë fshehur pas prestanome? Pse, siç bëri sot me të drejtë me vilën në Qerret që dyshohet se i përket Erjon Veliajt, SPAK nuk heton edhe vilën në Gjirin e Lalzit që dyshohet se i përket Flamur Nokës? Nuk kemi parë insistim hetimor ashtu siç bëri për Veliajn, pse nuk kontrollon antenat e celularëve nëse Flamur Noka e frekuentonte atë vilë? Pse nuk pyesin ndërtuesin, arkitektin, furnizuesin e mobiljeve dhe më pas fqinjët e Nokës?
Nuk e kemi parë kapacitetin hetimor të treguar nga SPAK për Erjon Veliajn as në dosjen e Klub Partizani: Ku janë hetimet bankare për Argita Berishën dhe bashkëshortin e saj Jamarber Malltezi duke filluar nga viti 1999 kur shkuan në Kosovë, apo qoftë edhe vetëm nga viti 2004 e më tej siç u bë me Erion Veliajn, për të kuptuar se si arritën të mos shpenzonin as edhe një qindarkë të vetme nga rrogat për të mbajtur familjen dy anëtarët e familjes Berisha?
Pra, si ia dolën të investonin edhe qindarkën e fundit të fituar zyrtarisht për të blerë vila, shtëpi dhe toka, duke u bërë edhe bashkëpronarë të 19 kullave?
Dhe ku janë hetimet financiare për Shkëlzen Berishën që të nisin të paktën nga masakra e Gërdecit nga e cila dyshohet se ka fituar shumë para?
Pse, pas OJF-së së Ajolës nuk hetohen edhe donatorët e OJF-së së Liri Berishës dhe a do të zbulohet se donacionet e sipërmarrësve lulëzuan me ardhjen e Sali Berishës në pushtet në 2005 dhe përfunduan me humbjen e tij elektorale në 2013?
Dhe ku janë hetimet e SPAK për 21 janarin? Ku janë hetimet e Spak-ut për grushtin e dështuar të 14 shtatorit? Ku janë hetimet financiare për skandalin e firmave piramidale, për të kuptuar përmes kontrolleve bankare se kush vodhi dhe më pas të dënojë ata që shkaktuan atë luftë të përgjakshme civile që shënoi 3000 të vdekur dhe një fatkeqësi ekonomike për mbi 1 milion shqiptarë? Të gjithë viktima pa drejtësi.
Vendimi për të mbyllur në burg kryebashkiakun e kryeqytetit tre muaj para votimit dhe vendosja e gruas së tij në arrest shtëpie, e detyruar të jetojë e mbyllur me fëmijën 6-vjeçar, shpreh një formë drejtësie shumë të ashpër. Krimet që kontestohen dhe provat e mbledhura a janë po ashtu? Dhe a është kjo drejtësi po aq e ashpër me të gjitha rastet korruptive? Dhe a është kjo drejtësi e re që i mban disa të akuzuar për korrupsion në burg dhe të tjerë të lirë të udhëtojnë, e ashpër edhe ndaj atyre që kanë kryer krime edhe më të rënda, madje edhe vrasje, por që nuk i ka hetuar (ende)?
Ne kemi besuar gjithmonë dhe vazhdojmë të besojmë në korrektësinë e SPAK, por mbi të gjitha e ka besuar opinioni publik. Me arrestimin e Erion Veliajt të pakten ka rënë përfundimisht akuza e një drejtësie të kontrolluar nga Edi Rama. Tani duhet të mposhtet dyshimi për një drejtësi që ende kompleksohet para Sali Berishës.