Deputetja e Partisë Socialiste në Tiranë, Etilda Gjonaj gjatë fjalës së saj në Kuvend, komentoi rastin e arrestimit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, për të cilin tha se ndalimi i tij tre muaj para zgjedhjeve është krejtësisht e padrejtë.
“Ndjej keqardhjen e madhe që Erion Veliaj dhe familja e tij, gjenden në këtë situatë sot. Nga një anë mes një përbaltjeje dhe njollosje të dinjitetit të figurës së tij dhe të familjes së tij në mënyrë të padrejtë dhe të padenjë. Dhe nga ana tjetër me një betejë që duhet të bëjë me drejtësinë për të vërtetën e tij. Si deputete e Tiranës, ashtu si edhe shumë kolegë të mitë, mendoj se burgosja e kryetarit të Bashkisë së kryeqytetit dhe lënia e qytetarëve të Tiranës pa kryetarin e tyre të zgjedhur me votën e qytetarëve, 3 muaj para zgjedhjeve, kur është ende person nën hetim është e padrejtë. Masa e sigurisë arrest me burg, s’mund të jetë në disproporcionalitet me atë që është në të mirën publike dhe që prish balancat e kryeqytetit normal. Të një kryeqyteti që duhet të ofrojë me mijëra shërbime ditore për qytetarët e tij. S’mund të jetë në disproporcionalitet me të mirën dhe interesin më të lartë të një fëmije, që ta vendosë në kushtet për të mos patur përkujdesjen e një prindi. Kam qenë gjithmonë edhe si njeri i fushës, për një politikë penale që nuk i shërben vetëm për represion dhe nuk më bëhet qejfi për askënd që arrestohet, por ka ardhur koha që të ndërtojmë të gjithë bashkë, një politikë penale që i shërben në radhë të parë një shoqërie të shëndetshme”, nënvizoi ish-ministrja e Drejtësisë.
Gjonaj tha se të gjithë jemi dëshmitarë, për ndryshimin e Tiranës, “për një Tiranë më të mirë, për një Tiranë me një infrastrukturë shumë herë më të zhvilluar, si rrugore, ashtu edhe për sa i përket pjesës tjetër në shkolla, kopshte, çerdhe të reja. Në pastërtinë e qytetit, në zhvillimin e kryeqytetit, duke e kthyer në një kryeqytet shumë policentër, po njëkohësisht edhe me shumë aktivitete kulturore, sportive dhe sociale dhe në ndihmë të të gjithë atyre që janë në nevojë dhe që janë kategori që kanë më shumë nevojë për shërbimet e Bashkisë”.