Nuk është shumë e vështirë për hetuesit e stërvitur të SPAK-ut të zbulojnë me saktësi se e kujt është realisht vila në Qerret, për të cilën akuzohet kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj. Shqipëria është një vend i vogël ku njihemi të gjithë. Me mjetet e specializuara dhe të sofistikuara të SPAK-ut, përtej lodrave të djalit 6-vjeçar të kryebashkiakut, të pranishme në vilë si provë kyçe në dosjen e Veliajt, mund të siguroheshin shumë prova të tjera, si për shembull fotografitë familjare.
Si kjo foto që ka siguruar ekskluzivisht Shqiptarja.com. Në foto shihet Arben Xoxa, me pantallona të shkurtra (djali i Jakov Xoxës), bashkë me familjarë gjatë një dreke në vilën e Qerretit, ndërsa përballë tij është ish-balerina e parë e Teatrit të Operës dhe Baletit, Ganimet Vendresha, nëna e bashkëshortes së Xoxës, Valbona.

Arben Xoxe u nda nga jeta në shkurt të vitit 2019, pra kjo foto është të paktën nga vera e vitit 2018, pikërisht koha kur, sipas Gentjan Sulajt, pronarit të vilës, Arben Xoxa ia kishte blerë duke e shkëmbyer me një apartament që babai i Ajola Xoxës kishte në të njëjtin fshat turistik “Marea” në Qerret.

Kjo foto përgënjeshtron, ndër të tjera, edhe dëshminë e “shoferit” të Arben Xoxës, i marrë në pyetje nga BKH, sipas të cilit babai i Ajola Xoxës nuk kishte qenë kurrë në vilën e Qerretit. Në fakt, ai shofer kishte punuar me Arben Xoxën vetëm për 4 muaj.
A ishte Arben Xoxa i zoti në shtëpinë e tij, apo kalonte ditët në “shtëpinë e dhëndrit”, i cili nuk është as i pranishëm gjatë drekës?