Barça dëshiron të sigurojë vazhdimësinë e lojtarëve të rinj më të talentuar në skuadër. Pas rinovimit të Pedrit të enjten, ishte radha e Gavit të premten.
Mesfushori kishte kontratë deri në vitin 2026, por për të shmangur çdo tundim të jashtëm dhe për t’i treguar lojtarit interesimin e klubit për vazhdimësinë e tij, këtë të premte presidenti Joan Laporta nënshkroi një kontratë të re me të, që do ta lidhë Gavin me skuadrën e Barcelonës deri në vitin 2030, duke ruajtur klauzolën e përfundimit prej 1000 milionë eurosh.
Pas gati një viti jashtë skuadrës për shkak të një dëmtimi të rëndë në gju, Gavi ka rikuperuar nivelin e tij të lojës dhe është bërë titullar për Hansi Flick. Ai dhe Pedri janë pjesë të rëndësishme në planet e trajnerit gjerman dhe në këtë mënyrë Barça ka garancinë e së tashmes dhe të ardhmes së dy mesfushorëve, të cilët me gjithë rininë e tyre janë konsoliduar në ekipin e parë si pjesë e shtyllës kurrizore.
“Culers, jam shumë i lumtur që rinovoj me klubin e jetës sime dhe shpresoj se mund t’ju sjellim shumë gëzim këtë sezon”.
Dy lojtarë që kanë tërhequr gjithmonë vëmendjen e klubeve të rëndësishme evropiane dhe që tani po mbyllin çdo mundësi për t’u larguar nga klubi i Barçës.