Deputeti i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, në fjalën e mbajtur në parlament foli për faktin se kush mund të votojë nga shqiptarët që jetojnë jashtë vendit.

Ai tha se opozita po kërkon justifikime për humbjen në zgjedhjet e 11 majit. Gjiknuri ka ngritur shqetësimin për 50 mijë shqiptarë që nuk kanë mundësi të votojnë për shkak të gjendjes së tyre shëndetësore, pasi nuk mund të dalin nga shtëpitë për shkak të sëmundjes.

Ai ka pyetur pse këta individë nuk mund të kenë të drejtën për të votuar, ndërsa ata që jetojnë jashtë dhe nuk kanë dokumente shqiptare, mund të votojnë. Gjiknuri deklaroi se shqiptarët që jetojnë jashtë e nuk kanë dokument shqiptar, me shumë gjasa e kanë humbur interesin për zgjedhjet në vendin tonë.

Deputeti i PS, Damian Gjiknuri: Po gjeni justifikime për humbje në zgjedhje. Thoni jo iu hoq këtij e drejta për të votuar. A e dini se ka 50 mijë shqiptarë që nuk votojnë dot, sepse nuk dalin dot nga banesat, janë të sëmurë? Pse mos ta kenë këta të drejtën të votojnë? Ai që është jashtë pa dokumente paska të drejtë të votojë, ndërsa ky që është në gjendje të rëndë ekonomike, ky nuk paska të drejtë.

Paskemi merakun ne për një kategori që kanë humbur interesin për Shqipërinë, që as duan t’ja dinë për zgjedhjet në Shqipëri. Shumë qytetarë nga diaspora janë regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhje dhe ky është lajm i mirë.