Petrit Qoli, nën akuzë për veprën penale të vrasjes me paramendim dhe i përfshirë në dosjen “Plumbi i artë”, ka hedhur akuza të forta ndaj bashkëpunëtorit Nuredin Dumani. Ky i fundit nuk u paraqit në seancë, për arsye shëndetësore. Ai shprehet se po detyrohet të bëhet vrasës si Nuredin Dumani, të marrë statusin e të penduarit të drejtësisë.

“Si çdo shqiptar dhe ato të diasporës jam i lumtur për SPAK dhe GJKKO. Dumani si vrasës me pagesë shijon jetën jashtë sallës dhe ne baltosemi. Ai do Coca-Cola, palestër dhe femra. Jam dobësuar 40 kg, jemi në burg kot. Jam 25 vite besimtar, prokuroria dhe gjykata mund të ma heqin baltën. Kam frikë se do vdes nga veremi dhe jo nga burgu. Ai është mongol leshator, do bëhemi si Nuredini, do vrasim 5-6 vetë dhe 5 mln euro të groposura, dalim dhe marrim statusin”, u shpreh ai.

Gjykata ka pezulluar afatin e paraburgimit për të gjithë të akuzuarit deri në seancën e ardhshme, e cila do të zhvillohet më 4 mars.

Nuredin Dumani, vrasësi me pagesë që është kthyer në të penduar të drejtësisë vijon dëshmitë për dosjen “Plumbi i Artë”. Dumani ka zbërthyer ngjarje kriminale që nga viti 2011 deri në 2022-shin duke i thënë SPAK kodet e PIN-eve që kishte në aplikacionin “SkyECC”: ‘Totorina”, “Covid 19” dhe “Alcatraz”. Po ashtu, paralajmëroi edhe krime të tjera që do të zbardhen me “Matrix”, aplikacionin më të ri që është dekriptuar nga Europol.

Gjatë 3 viteve që ka statusin e të penduarit të drejtësisë, Dumani ka folur edhe për ngjarje e vrasje të bëra jashtë territorit të Shqipërisë, në Belgjikë, Holandë dhe në Itali. Në dosjen ‘Plumbi i Artë’ përmenden të paktën 32 persona të dyshuar dhe akuzuar, nga 4 organizata të ndryshme kriminale. Dëshmitë dhe emrat e bashkëpunëtorëve që Nuredin Dumani u dha prokurorëve të SPAK, kanë zbardhur plot 27 krime e ngjarje të ndryshme të ndodhura gjatë një dekade mes Tiranës, Elbasanit e Durrësit.