Policia në Pensilvani është në kërkim të hajdutëve që rrëmbyen një ngarkesë me 100,000 kokrra vezë organike. Ngarkesa arrin vlerën e më shumë se 40,000 dollarëve në shitjet me pakicë, ndërsa grabitja ka ndodhur në një kohë kur ka mungesë të produktit në treg.Sipas oficeres së policisë Megan Fraser, e cila ka marrë përsipër hetimin e rastit, kjo është hera e parë në karrierën e saj 12 vjeçare që ajo kërkon hajdutë vezësh. Por ajo kujtoi se një dekadë më parë kishin një rast të ngjashëm, kur dikush vodhi një kamion plot me pula.
“Kjo është një vepër penale, për shkak të vlerës së sendeve të vjedhura”, theksoi punonjësja e policisë. Vjedhja ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës në Greencastle, nga magazina e një tregtari me shumicë. Çmimi i vezëve është rritur me 50% që nga viti i kaluar në SHBA, sipas indeksit të çmimeve të konsumit të publikuar të premten e kaluar.
Fermerët e shpendëve po përballen me epideminë e gripit të shpendëve që i ka detyruar të vrasin miliona pula në mënyrë që të ndalojnë përhapjen e sëmundjes.
Më shumë se 13 milionë pula janë therur ose kanë ngordhur që nga dhjetori, sipas Departamentit të Bujqësisë. Në fund të janarit, çmimi mesatar i vezëve ishte 5,29 dollarë për kuti, nga 3,50 dollarë vitin e kaluar. Disa rafte supermarketesh janë bosh dhe rrjeti i restoranteve Ëaffle House, i famshëm për mëngjesin e tij, ka vendosur një tarifë prej 50 cent për vezë.