Zlatan Ibrahimovic, superkonsulent i RedBird dhe drejtues i Milanit, ka dhënë një intervistë të gjatë për revistën ‘GQ Italia’, ku rrëfen gjithçka, nga arsyeja pse pranoi sfidën e re pas tavolinës deri te misioni që i është caktuar. Me një pikë të pandryshueshme: Milani vjen përpara çdo gjëje.
“Të gjithë flasin për ne. Dhe nëse flasin për ne, do të thotë që po bëjmë diçka të madhe. Ky është një mentalitet i ri. Menaxhimi ynë është i ri, ndërkombëtar. Njerëz me vizione të ndryshme, ambicie të ndryshme. Te Milani ka uri, – shpjegoi ish-sulmuesi suedez. – Kjo është e pabesueshme. Nuk kemi frikë. Kjo është forca jonë.
Bëjmë atë në të cilën besojmë, pa frikë, pa limite, bëjmë gjërat në mënyrën tonë. Nuk shikojmë të tjerët. Ecim përpara, gjithmonë. Çfarëdo muri që gjejmë përpara, e thyejmë. Ne jemi ‘rock and roll’, gjithmonë duke synuar rezultatet. Jemi shkollë e re”.
Rëndësia e punës në ekip: “Ashtu si në fushë, edhe këtu loja në ekip është gjëja më e rëndësishme nga të gjitha. Kjo është ajo që i thashë Gerry Cardinale kur pranova të punoja me të. Ia thashë qartë: Nuk është më një shfaqje e një njeriu të vetëm. Nuk jam këtu për të shpëtuar askënd. Nëse mendon se është kështu, e lëmë që tani. Nuk jam këtu për të shpëtuar situatën. Jam këtu për të mësuar nga të tjerët dhe për t’i ndihmuar të japin më të mirën. Dua të mësoj, të ndihmoj. Mbi gjithçka është puna në ekip”.
Zgjedhja për të pranuar ofertën e Gerry Cardinale: “Jam dikush që i pëlqejnë sfidat e mëdha. Kur bëj diçka, duhet të jetë gjë gjigante. Përndryshe, nuk ndiej adrenalinën, presionin. Mua më duhet presioni. Gjërat normale nuk më pëlqejnë. Në fillim thashë ‘jo’, nuk jam i interesuar. Edhe sepse kur agjenti im Mino Raiola ndërroi jetë, para dy vitesh, kisha mundësinë të hyja në kompaninë e tij, të bëhesha menaxher. E mendova.
Isha i qartë me Gerry, i thashë: Dëgjo, kam këtë mundësi, kam edhe atë që po më ofron ti, por në të vërtetë nuk dua asnjërën nga të dyja. Jeta ime në atë moment ishte e bukur ashtu siç ishte. Nuk varej nga askush. Asnjë orar për të ndjekur. Asnjë alarm në shtatë të mëngjesit. E vetmja gjë që kisha në plan ishin dy djemtë e mi dhe Helena. Pastaj jeta në shtëpi, stërvitjet.
Dhe çfarë ndodhi? Më bindi oferta e Gerry. Ai shtyn, shtyn fort. Tani e kuptoj pse ka sukses, ngaqë nuk dorëzohet kurrë. Është ‘Ujku i Wall Street’-it të vërtetë. Gjithmonë merr atë që dëshiron. Në fund, më dha një mundësi që nuk mund t’i thoja jo. Gruaja ime më tha: Nëse të njoh mirë, e di që pas pak do të mërzitesh. Ti ke nevojë për një sfidë. Shko, bëj atë që duhet të bësh dhe ji vetvetja. Dhe ajo më njeh shumë mirë. Nuk kishin të bënin aspak paratë, sepse unë nuk paguhem nga Milani. Nuk jam një punonjës i Milanit. Unë punoj për RedBird, por përgjegjësia ime është e qartë: ta çoj Milanin atje ku i takon. Të fitojmë”.
Rëndësia e mentalitetit fitues: “E di si e fituam kampionatin e fundit, kur luaja vetë? Me mentalitet. Me motivimin e duhur, me mentalitetin e duhur, një sportist është i aftë për gjithçka. Nuk ishim skuadra më e fortë, por fituam sepse ishim më të fortë mendërisht. Kjo është ajo që përpiqem të sjell gjithmonë. Është ndryshe, sigurisht, në Milanello dhe në ‘Casa Milan’, sepse kur shoh një lojtar, e di çfarë të bëj për ta motivuar, e di kë duhet të përqafoj, kujt t’i buzëqesh, kë duhet ta shikoj keq, me kë duhet të flas ashpër.
E njoh atë dhomë zhveshjeje shumë mirë. Me pjesën e biznesit është më delikate. Ajo që më intereson më shumë është ideja për t’i bashkuar këto dy botë, sepse nuk është një skuadër atje, në Milanello, dhe një klub këtu, në ‘Casa Milan’. Ka vetëm një gjë, është vetëm Milani. Dhe unë dua t’i bashkoj këto botë. Për këtë punojmë”.
Asgjë nuk është më e rëndësishme se Milani: “Në fund, roli im nuk ka rëndësi. Ai që ka rëndësi është Milani. Ne duam që Milani të ketë sukses. Gjithçka që bëjmë këtu, e bëjmë për Milanin. Nuk ka ego, të paktën për mua. E kam thënë, nuk është shfaqje e një njeriu të vetëm. Më mirë qëndroj në hije, nuk dua as të marr ndonjë meritë. Më besoni, ua kam thënë djemve: nuk dua të jem as në foto apo video.
Pastaj e kuptova që duhet të përfitojnë nga disa dinamika dhe këtë e respektoj. Por besoni: po të ishte për mua, nuk do më shihnit fare. Do punoja dhe kaq. Punë, punë, punë. Milani është ylli, jo unë. Sot jam këtu, nesër jam këtu, ok. Po pasnesër? Ndoshta nuk jam më. Milani, nga ana tjetër, vazhdon të ekzistojë. Dhe unë e bëj këtë për Milanin, jo për veten time. Milani më ka dhënë lumturi herën e parë. Ma dha edhe herën e dytë. Nuk e bëj për interes personal, nuk kam nevojë për këtë.
Jam i famshëm, nuk më duhen para dhe as ndjekës. E bëj për Milanin dhe sepse dua të mësoj gjëra të reja. Kur luaja, gjithçka sillej rreth meje. Sot jam truproja; nëse dikush duhet të qëllohet, të qëllojnë mbi mua. Dua ta mbroj skuadrën dhe klubin. Nuk kam frikë, sepse unë qëlloj dy herë pas. Kësisoji, mund të jem unë shënjestra.
Kam kaluar 10 vite lufte. Dhe kur jeton një luftë në Ballkan, nuk të telefonojnë për të të treguar se si janë gjërat. Je ti që pret thirrjen, për të mësuar çfarë po ndodh. Për të mësuar nëse familja jote është mirë. Po kur mediat flasin për mua? Nuk më prekin fare, sepse ne jemi më të mëdhenjtë”.