Shqipëria do të përdorë gjerësisht inteligjencën artificiale. Në dokumentin e politikave prioritare për vitin 2026-2028 parashikohet integrimi i inteligjencës artificiale (AI) në sektorë të ndryshëm publikë, për të përmirësuar punën e institucioneve.

Synimi afatgjatë është që inteligjenca të përfshihet në të gjithë sektorët, duke synuar një ndikim transformues në kujdesin shëndetësor, arsim, bujqësi, taksa dhe tatime.

Iniciativa të tilla si diagnostikimi i hershëm i sëmundjeve asistuar nga AI, rrugëtimet e personalizuara të arsimimit dhe bujqësia precize pritet të përmirësojnë ndjeshëm rezultate te politikave dhe efikasitetin e shërbimeve.

Po ashtu në program parashikohet që këto iniciativa parashikohen të reduktojnë ndjeshëm punën manuale, të minimizojnë gabimet njerëzore dhe të thjeshtojnë proceset në të gjithë administratën.

Më herët qeveria ka bërë me dije se do të automatizohen plotësisht procedurat e prokurimit përmes një sistemi elektronik me inteligjencë artificiale, duke synuar të rrisë transparencën në proceset e prokurimit publik, për të minimizuar rreziqet e korrupsionit.

Po ashtu parashikohet qw Inspektorati Shtetëror i Punës do të mund të përdorë Matricën e Inteligjencës dhe Vlerësimit të Riskut (MIRA), për të gjurmuar të gjithë ato subjekte apo ndërmarrje që operojnë në informalitet.

Nga të dhënat konstatohet se në vitin 2024 janë marrë nëpërmjet e-Albania 15 milionë shërbime publike, dhe që prej vitit 2017 e deri më tani janë gjeneruar mbi 38 milionë dokumente me vulë elektronike, përkthyer kjo në kursime në kohë dhe kosto për qytetarët dhe bizneset.