Në një intervistë të fundit për Atlantic Council me gazetaren Ilva Tare, ish-ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, trajtoi çështjet kryesore politike të vendit, përfshirë ndërtimin e qeverisë, zbatimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe rolin e Perëndimit në çështjet e Kosovës.

Qeveria e ardhshme e Kosovës: Një koalicion i brishtë?

Ndërsa Kosova përballet me pasiguri në formimin e një qeverie të re, Hovenier theksoi se krijimi i koalicioneve nuk është vetëm çështje vullneti politik dhe aftësie, por edhe një llogaritje numerike. Ai vuri në dukje se një aleancë midis partive opozitare si PDK, LDK dhe AAK, së bashku me përfaqësuesit e komuniteteve është matematikisht e mundshme, por do të ishte një “koalicion shumë i brishtë”.

“Partitë hynë në zgjedhje duke përfaqësuar gjëra të ndryshme,” tha ai. “Ato ishin të bashkuara në kritikat ndaj qeverisë aktuale, por nëse mund ta shndërrojnë këtë në një koalicion qeverisës të qëndrueshëm, kjo mbetet një çështje e hapur.”

I pyetur nëse Shtetet e Bashkuara kanë një preferencë për një koalicion të caktuar, Hovenier theksoi se gjatë mandatit të tij, SHBA-ja ishte e gatshme të punonte me çdo “qeveri të zgjedhur në mënyrë demokratike dhe legjitime” për të avancuar pozicionin e Kosovës në skenën ndërkombëtare.

Asosacioni: Një angazhim që duhet përmbushur

Hovenier përsëriti se Kosova ka një detyrim për të zbatuar Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, një angazhim i marrë në vitin 2013 dhe i konfirmuar sërish në Marrëveshjen Themelore të vitit 2023. Ai u shpreh kundër përpjekjeve për të rinegociuar marrëveshje të reja, duke theksuar se problemi i vërtetë është mungesa e zbatimit.

“Republika e Kosovës e ka marrë këtë angazhim që në vitin 2013. Ky angazhim nuk është zhdukur,” deklaroi ai, duke shtuar se edhe Serbia ka detyrime të paplotësuara.

Sipas ish-ambasadorit, sfida kryesore ka qenë balancimi i mbrojtjes kushtetuese të komuniteteve pakicë me sovranitetin e Kosovës. “Ne ngecëm në çështjen se si Serbia mund ta ushtrojë të drejtën që ka sipas Planit të Ahtisaarit për të mbështetur komunitetin serb në Kosovë, por në një mënyrë që përputhet me ligjin dhe kushtetutën e Kosovës,” shpjegoi ai.

Ndikimi Perëndimor kundrejt sovranitetit

Hovenier iu përgjigj gjithashtu kritikave se përfshirja e Perëndimit në politikën e Kosovës përbën ndërhyrje, një pretendim i bërë shpesh nga kryeministri Albin Kurti dhe mbështetësit e tij. Ai mohoi që SHBA-ja të ketë vënë ndonjëherë në dyshim sovranitetin e Kosovës, por theksoi se sovraniteti nuk nënkupton shmangien e pasojave për vendimet politike.

“Kosova është një shtet sovran. Dhe nuk besoj se gjatë mandatit tim si ambasador, ne kemi vënë ndonjëherë në dyshim sovranitetin e saj,” theksoi ai. Megjithatë, shtoi se sovraniteti vjen me përgjegjësi. “Kosova ka të drejtën e sovranitetit, por nuk mund të kontrollojë mënyrën se si Shtetet e Bashkuara apo Bashkimi Evropian reagojnë ndaj veprimeve që ne besojmë se minojnë atë që po përpiqemi të arrijmë së bashku.”

Hovenier argumentoi se një Kosovë që përparon drejt integrimit evropian dhe anëtarësimit në NATO është “ndoshta një Kosovë më e sigurt dhe më sovrane sesa një që nuk është pjesë e këtyre strukturave.”