Ish-deputeti Alket Hyseni ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me arrestimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, nga SPAK. Hyseni thekson se është për të ardhur keq që merret një masë kaq ekstreme ndaj një personaliteti të jetës politike, i cili ka marrë besimin e qytetarëve për të drejtuar punët e Tiranës.
Nga ana profesionale, Hyseni vëren se akuzat mbeten vetëm akuza deri në vërtetimin e tyre dhe shpreh shqetësimin se në Shqipëri gjyqet po bëhen publike dhe dënimet jepen që në momentin e ngritjes së akuzave. Ai kritikon organet e akuzës që shpeshherë bëhen pjesë e lojës politike.

Hyseni argumenton se masa e arrestit për Veliajn është e tepruar, duke pasur parasysh se ai nuk paraqet rrezik për t’u larguar dhe ka qenë në dijeni të hetimit për më shumë se një vit. Ai e konsideron shkelje proceduriale faktin që Veliaj nuk është njoftuar zyrtarisht si person nën hetim dhe kritikon praktikën e mbajtjes së individëve nën hetim pa i regjistruar emrat e tyre në regjistrin e veprave penale.
“Ndjej keqardhje që arrihet në një masë ekstreme për një personalitet të jetës politike, po për më tepër një person I cili ka marrë vullnetin e qytetarëve të Tiranës për të drejtuar punët dhe në këtë drejtim politikisht më vjen shumë keq.
Nga ana profesionale pastaj, mund të jap një mendim që akuzat janë akuza. Kur thashë për kontaminimin në përgjithësi ka të bëjë edhe me këtë fakt që këtu në Shqipëri ka filluar që gjyqet bëhen publike, dënimet jepen që në momentin që ngrihet akuzat, që organet e akuzës shpehsherë bëhen pjesë e lojës politike.

Të shkosh direkt tek masa e arrestit ndaj një personi I cili nuk ka rrezikshmëri ikje, Erion Veliaj ikën dhe vjen, ka kohë që e di që është nën hetim mbi një vit, edhe pse procedurialisht nuk i është komunikuar statusi nën hetim që është për mua shkelje flagrante proceduriale e prokurorisë. Kjo nuk është vetëm ndaj Erionit, kjo po bëhet modë në atë organ që mbahen njerëzit nën hetim pa i shënuar emrin në regjistrin e veprave penale, thirren dhe pyeten pa I thënë që hetimi është ndaj tyre dhe pastaj menjëherë kalojnë nën hetim”, u shpreh Hyseni në News 24.