Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë komunikimit me ndjekësit në rrjetet sociale pohoi se Rruga e Arbrit do të përfundojë në muajin mars.

Ai theksoi se punimet në Tunelin e Murrizit po shkojnë drejt fundit, ndërsa shtoi se gjeologjia e vështirë krijoi vonesa të shumta.

“Ndodh që nganjëherë të marrim më shumë kohë seç është parashikuar, si për shembull Rruga e Arbrit, por jo për shkak se i lëmë gjë mangët punës, por se të papriturat edhe ndodhin. Gjeologjia e tunelit të Murrizit doli shumë më e ndërlikuar se ishte parashikuar nga studimet dhe jemi në kushtet kur po shkojmë drejt përfundimit pas një riarmatimi me një teknologji tjetër të të gjithë pjesëve të tunelit. Besoj shumë se më në fund në mars do ta heqim edhe këtë sy të keq nga shpina, sepse realisht ai tunel na ka marrë shpirtin, por bashkë me pranverën do dalë dhe shpirti i keq nga tuneli dhe dibranët do shkojnë e vijnë me rrugën e hapur”, tha ai.