Pas kaq shumë vuajtjesh, më në fund një fjalë e mirë. Analizat e fundit mjekësore treguan se Armando Broja mund të kthehet nga dëmtimi shumë më shpejt sesa ishte parashikuar, dhe shpresa është që të ndodhë pikërisht kështu.
Lajmet nga Anglia janë që koha e riaftësimit mund të quhet e përgjysmuar, dhe se pritet që Broja të jetë i gatshëm tek Evertoni pas 6 javësh. Kjo do të thotë në mesin e muajit mars, kohë që i jep mundësi të kontribuojë që blutë e Liverpulit të shmangin rënien nga kategoria pikërisht në sezonin kur pritet të kalojnë në stadiumin e ri.
Ky lajm pozitiv do të thotë se edhe kombëtarja shqiptare mund të ketë shpresë, ndonëse të përmbajtur.
Shanset rriten që sulmuesi kuqezi të jetë I gatshëm për t’u grumbulluar në ekipin përfaqësues për dy ndeshjet eliminatore të Kupës së Botës, së pari në 21 mars në “Uembli” të Londrës ndaj Anglisë, dhe pastaj në 24 të po atij muaji kundër Andorrës në “Arenën Kombëtare” në Tiranë.
Broja u dëmtua në ligamentet e kaviljes në ndeshjen e Kupës së Anglisë, Everton-Peterborou në 9 janar, pasi më parë kishte pasur probleme në shpinë në sfidën e Premier Ligës të humbur në fushën e Bornmuthit në 4 janar.
Fati i sulmuesit është ende në ajër, pasi ekziston mundësia që Evertoni të merret vesh me Çelsin për t’i dhënë fund huazimit, e kjo ka afat deri në 3 shkurt. Trajneri Dejvid Mojes ka nevojë për një sulmues të gatshëm, ndonëse për momentin Armando duket se do të qëndrojë në “Gudison Park”.