Një 17 vjeçar ka rënë në prangat e Policisë, pasi u kap në flagrancë me një armë zjarri automatike, të cilën dyshohet se do ta shiste në qytetin e Vlorës. Mësohet se 17-vjeçari e kishte futur armën e zjarrit në bagazhin e një taksie, të cilën e kishte marrë për të udhëtuar drejt qytetit.
Përmes një njoftimi, Policia bën të ditur se është identifikuar dhe shpallur në kërkim edhe një 19-vjeçar, që dyshohet se ka bashkëpunuar me 17-vjeçarin për të siguruar armën e zjarrit.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarrit automatike dhe 3 krehra, ndërkohë që vijon puna për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Njoftimi i Policisë:
Vlorë/Vijojnë puna e inteligjencës policore dhe kontrollet intensive të shërbimeve, për të garantuar sundimin e ligjit në territor.
Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, operacioni i koduar “The Passenger”, për goditjen e një rasti të tentativës për të shitur armë zjarri.
U kap në flagrancë me 1 armë zjarri automatike, të cilën dyshohet se do ta shiste në qytetin e Vlorës, vihet në pranga 17-vjeçari.
Identifikohet dhe shpallet në kërkim 19-vjeçari që dyshohet se ka bashkëpunuar me 17-vjeçarin, për të siguruar armën e zjarrit.
Sekuestrohen arma e zjarrit automatike dhe 3 krehra.
Në vijim të masave për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar edhe në inteligjencën policore, Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale të Hetimit, organizoi dhe finalizoi operacionin policor “The Passenger”.
Gjatë operacionit, në aksin rrugor “Fier-Vlorë”, u kap në flagrancë dhe u vu në pranga një 17-vjeçar, banues në Fier, pasi gjatë kontrollit në bagazhin e një automjeti taksi, të cilin ky shtetas e kishte marrë për të udhëtuar drejt Vlorës, mes sendeve të tij personale, u gjet një armë zjarri automatike dhe dy krehra.
Në vijim të veprimeve për këtë rast u shpall në kërkim shtetasi E. Gj., 19 vjeç, banues në Fier, pasi dyshohet se ka bashkëpunuar me 17-vjeçarin, për të siguruar armën e zjarrit, me qëllim shitjen në qytetin e Vlorës.
Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit E. Gj., u gjet një krehër arme, i cili u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me armën e zjarrit (pushkë automatike) dhe dy krehrit që transportonte 17-vjeçari.
Vijon puna për kapjen e shtetasit E. Gj. dhe për dokumentimin e plotë të rastit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.