Muzeu Kombëtar “Shtëpia me gjethe” përkujtoi dje biologen dhe shkencëtaren e mirënjohur shqiptare, Sabiha Kasimati (15 shtator 1912 – 26 shkurt 1951).
Ajo lindi më datë 15 shtator 1912, në qytetin e Edirnesë (Turqi). Pasi u kthye së bashku me familjen në Shqipëri, Kasimati u shkollua në Liceun Francez të Korçës, dhe në sajë të rezultateve të larta, iu akordua nga shteti një bursë në Universitetin e Torinos, në Fakultetin e Shkencave Biologjike. Sabiha Kasimati përfundoi studimet doktorale në vitin 1941 me rezultate maksimale në fushën e iktiologjisë. Po atë vit u kthye në Shqipëri për të dhënë kontributin në shkencë dhe në arsim. Në vitin 1943 vendoset si punonjëse shkencore në bërthamën e parë akademike me emrin Instituti Mbretëror i Studimeve Shqiptare. Por, për shkak të problemeve shëndetësore, ajo do të shkonte në Itali për kurim, nga ku do të kthehej në vitin 1945.
Me vendosjen e diktaturës, fillimisht u punësua pranë Institutit të Shkencave, ku iu përkushtua sërish fushës së iktiologjisë. Në vitin 1948 përfundoi studimin mbi peshqit në ujërat shqiptare. Por ky studim do të botohej në vitin 1955 nën emrin e rusit Anatoli Poljakov dhe dy fillestarëve në fushën e iktiologjisë, Ndoc Rakaj dhe Ndoc Filipi. Duke parë zhvillimet politike në vend, Sabiha Kasimati shfaqi pakënaqësitë e saj mbi qeverisjen e shtetit komunist. Për këtë arsye ajo filloi të përndiqej nga Sigurimi i Shtetit. Emri i saj u lidh me shpërthimin në Ambasadën Sovjetike dhe u akuzua për pjesëmarrje në organizata terroriste e bashkëpunim me agjentura të huaja, akuza të cilat ajo nuk do t’i pranonte asnjëherë. Pak ditë pas ngjarjes në ambasadë, më 26 shkurt 1951 u pushkatua Sabiha Kasimati dhe 21 intelektualë të tjerë.
Sabiha Kasimati, e bija e doktor Abdurrahman Kasimati u lind më 15 shtator 1912 në Edirne të Turqisë. Familja zhvendoset në Shkodër ku i ati shërbeu në vitet 1914 – 1915. Në vitet e Luftës së Parë Botërore, familja u vendos në pronat e veta në Verrie të Thesalisë. Pas shkëmbimeve të popullsive mes Greqisë dhe Turqisë, familja u kthye në Shqipëri duke rrezikuar edhe pronat e veta. Më 1927, Sabihaja së bashku me familjen e saj u vendosën në Korçë ku fëmijët vijuan shkollimin, Sabihaja me motrat frekuentuan Liceun Frëng të cilin e mbaroi më 1931 – duke qenë vajza e parë që kreu atë lice. Pas mbarimit të liceut, punoi si mësuese në Normalen Femërore të Korçës, ku dha edukatë morale dhe gjuhë frënge. Më 1933 u emërua në Shkollën Amerikane të Kavajës ku jepte biologji. Verën e 1935 iu akordua një bursë shtetërore për në Itali, ku ajo u regjistrua për të studiuar në Fakultetin e Shkencave Biologjike në Universitetin e Torinos. Kasimati zgjodhi si fushë specializimi ihtiologjinë dhe më 1940 doktoroi me temën “Fauna ittica di acqua dolce d’Albania” (Fauna ihtike në ujërat e ëmbla në Shqipëri). Drejtuesit e Universitetit i ofruan asaj pozitën e asistentit në degën e ihtiologjisë, por propozimin e tyre ajo nuk e pranoi dhe u kthye në atdhe.
Me kthimin në atdhe nisi punë në Institutin Pedagogjik Femëror “Donika Kastrioti”. Për shkaqe shëndetësore vajti të kurohej në sanatoriumin antituberkular në Bolzano në Itali, prej ku kthehet më 1945. Nisi bashkëpunimin me Selaudin Toto, me qëllim të organizimit të Institutit të Shkencave në Tiranë. U emërtua specialiste zoologe, e specializuar në ihtiologji. Bashkëpunoi me disa nga emrat më të njohur të shkencës së atyre viteve si Suad Asllani, apo profesor Stanisllav Zuber (një polak që jetonte dhe punonte në Shqipëri). Sabihaja e vijoi kërkimin shkencor edhe gjatë viteve të para të regjimit komunist. Në mbledhjen e Institutit të Studimeve gjatë 13 prillit 1946, Sabihaja mori pjesë së bashku me figura të tjera të shquara akademike sikurse ishin: Kostaq Cipo, Mark Ndoja, Selahydin Toto, Eqrem Çabej, Aleks Buda, Gjergj Komnino, Gjergj Ashta, Jonus Tafilaj, Hasan Ceka dhe Nikolla Lako. Mbledhja u drejtua nga Sejfulla Malëshova, ministri i Arsimit. Mbledhja kishte për qëllim analizimin e veprimtarisë së kryer gjatë vitit 1945, prezantimin e planit të ri të punës dhe paraqiti ekipin e ri që do të drejtonte Institutin e Studimeve.
Sipas procesverbalit të mbledhjes, nga viti 1945 deri më 1946, Sabiha Kasimati punoi së bashku me Gjergj Komninon, në grupin e drejtuar nga Eqrem Çabej, për përgatitjen e skedave të gjuhës shqipe, për terminologjinë e shkencave të natyrës. Më 28 janar të vitit 1947, Këshilli i Ministrave me vendimin numër 16, vendosi “riorganizimin e Institutit të Studimeve Shqiptare në një ent autonom të lidhur drejtë për së drejti me Këshillin Ministror”. Instituti do të funksiononte me një rregullore të përkohshme. Përgjatë vitit 1947 anëtarë të Institutit ishin vetëm 23 pjesëtarët e Asamblesë së Përgjithshme të tij, pjesë e së cilës nuk ishte Kasimati. Në qershor të 1948-s, mbledhja e radhës e asamblesë së institutit të studimeve, krahas ndryshimit të emrit në Institut të Shkencave, propozoi anëtarë dhe bashkëpunëtorë të rinj, në radhët e të cilëve ishte edhe Kasimati. Gjatë vitit 1950 në listën e “anëtarëve të rregullt” të institutit nuk figuronte emri i Sabihasë. Ndërsa kryente studime të thelluara dhe botonte libra në fushën e shkencave biologjike, Sabiha Kasimati u bë dëshmitare sesi lufta e klasave po merrte jetët e intelektualëve të vendit që dyshoheshin për qëndrime kundër sistemit komunist që ishte kthyer në një makineri gjakatare. Kasimati shprehej hapur kundër sistemit që në vitet e para kur u ekzetua grupi i parë i deputetëve.
Më 19 shkurt 1951 ndodhi një shpërthim në Ambasadën e ish-Bashkimit Sovjetik në Tiranë. Vendosja e “bombës” në legatën sovjetike do të konsiderohej si sulm terrorist ndaj regjimit dhe do të përdorej si pretekst për fillimin e një spastrimi ndaj “armiqve të popullit”. Nga sulmi nuk kishte asnjë të plagosur, por autoritetet shqiptare të asaj kohe si fajtorë konsideruan një grup prej 22 intelektualësh të rinj që punonin asokohe në Tiranë, duke përfshirë këtu edhe Sabiha Kasimatin (e vetmja grua). Pavarësisht nga mungesa e çdo prove, Sabihaja u arrestua nga Sigurimi më 20 shkurt 1951. Në dosjen hetimore të Sabihasë i numëroheshin disa “mëkate”: “Gjatë okupacionit ka pasur marrëdhënie me element fashistë; mban qëndrim armiqësor ndaj pushtetit, flet kundër reformave dhe mban kontakte me elementë armiq… Ka pasur kontakt me deputetin anglez, Lester Hutchiston. Ka mbajtur kontakte me njerëz të misionit anglez… dhe me J.S.Payne me të cilin ka pasur lidhje të ngushta.
Armike e betuar e pushtetit të sotëm. Ka urrejtje karshi tij e sidomos karshi komunistëve, kritikon moralin komunist, etj.” Të dhëna të drejtpërdrejta për kohën dhe nivelin e survejimit nuk ka, përderisa nuk ekziston një dosje hetimore. Sipas ishdrejtorit të Arkivit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Kastriot Dervishit, dosjet e sigurimit për të gjitha ata që u ekzekutuan më 22 shkurt 1951, nën akuzën e bombës në Legatën Sovjetike janë eliminuar. Disa informacione në lidhje me survejimin e Sabihasë janë gjetur nëpërmjet dosjes formula të Çabejt. Në raportin e bashkëpunëtorit “Prurësja”, datë 20 prill 1950 bëhet me dije se S. Kasimati kishte thënë: “është interesante të kesh gjithë numrat e gazetave që përmbajnë diskutimet se sa raportin e Komandantit. Kush i humb kohën kot, kurse në diskutimet mund të gjesh gjëra interesante”. Më 25 shkurt 1951 gjykata i dënoi që të gjithë me vdekje. Dënimi u ekzekutua natën e 26-27 shkurtit 1951 në afërsi të fshatit Mënik, disa kilometra në perëndim të Tiranës. Trupat u varrosën në një varr të cekët në fushën prapa. Në 60-vjetorin e vdekjes së saj, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi e nderoi me medaljen Nderi i Kombit.