Zgjedhjet parlamentare të 9 Shkurtit po afrojnë edhe në Kosovë. Teksa fushata elektorale ndodhet në orët e fundit të saj, mendimet dhe projeksionet janë të ndryshme.
Shumica mendon se kryeministri Aktual Albin Kurti nuk do e fitojë dot shumicën për ta bërë i vetëm qeverinë dhe madje as nuk do jetë më në krye të saj.
Juristi Kreshnik Spahiu ndau sot në REPORT TV mendimin e tij për situatën zgjedhore në Kosovë, duke thënë se Kurti nuk do jetë kryeministër pas 9 Shkurtit, pasi qasja e tij ndaj Perëndimit, SHBA dhe BE, ka qenë agresive.
“Albin Kurti nuk do fitojë 51%, partia e tij do rudhet, ka sjellje negative me biznesin dhe mediat në Kosovë. Ka reagime edhe nga Richard Grenell, nga SHBA, për sjelljen e Kurtit, reagime kundër tij, për qëndrimet që ka mbajtur këto vite. Nëse Kurti merr më pak se kjo shifër, do jetë në opozitë”, shprehet juristi.
Po nëse Kurti i fiton zgjedhjet si parti e parë, a mund ta krijojë qeverinë me koalicione? Spahiu shprehet se Perëndimi nuk do lejojë që ai ta krijojë qeverinë, pikërisht për qasjen që ka pasur ndaj tyre.
“SHBA mund të lejojë që tre parti të mëdha opozitare të krijojnë qeveri të re dhe të mos lejojnë të bëjnë aleancë me Kurtin, pikërisht për shkak të qëndrimeve të kryeministrit kosovar ndaj perëndimit. Kurti ka vetëm një mundësi, vetëm nëse do të marri mbi 50% të votave. Sepse SHBA mund t’i kërkojë partive si PDK, LDK dhe AAK që të mos i bashkojnë votat më të, për shkak të qasjes së Kurtit ndaj Perëndimit”, përfundon Spahiu analizën e tij.