Pep Guardiola thotë se Mançester Siti do të japë gjithçka për të qenë pjesë e një për qind shanse që ka për kualifikimin në 1/8-at e Ligës së Kampioneve kur të luajë në “Bernabeu” të mërkurën. Shpresat e tyre në Champions janë të varura në një fije pas humbjes dramatike 3-2 ndaj Realit të Madridit në “Etihad” në ndeshjen e parë javën e kaluar.

Sidoqoftë, Siti do të udhëtojë në Spanjë dhe do të përballet me rivalët e tyre të vjetër, pasi bënë performancën e tyre më të mirë të sezonit në fitoren 4-0 kundër Njukasëllit të shtunën. Edhe pse ata fituan kundër kampionëve të Europës në tokën e tyre pesë vite më parë, Pep e di se shanset janë kundër tyre që ta përsërisin një sukses të tillë.

Por ai thotë se sado “minimal” të jetë shansi, ata duhet të përpiqen ta shfrytëzojnë atë kundër kampionëve të Karlo Ançelotit. Guardiola tha pas fitores me Njukasëllin: “Është më mirë të udhëtosh në Madrid me këtë rezultat (fitoren 4-0), sesa me një humbje në minutën e fundit, apo çdo humbje.

“Kështu që sigurisht, fitorja na ndihmon, por të gjithë e dinë sa e vështirë është të fitosh në ‘Bernabeu’ në pozicionin tonë. Nëse do të ruanim epërsinë 2-1 që kishim pesë minuta para, do të ishte ndryshe, por me 2-3 ne e dimë se sa është shansi. Rezultati nuk ishte i mirë. Nëse pyesni para ndeshjes se cila është përqindja për t’u kualifikuar, ne do themi rreth një për qind ose nuk e di se sa. Do të jetë minimale, por për aq sa keni mundësi, ne do ta provojmë, kjo është e sigurt. Ashtu siç bëjmë gjithmonë, kështu që le të shohim se çfarë do të ndodhë”.

MBROJTJA – Guardiola vendosi të mos luajë me dyshen mbrojtëse Ruben Diaz dhe Natan Ake kundër Njukasëllit me shpresën se ata mund të jenë gati të përballen me Realin e Madridit. Ai aktivizoi Abdukodir Khusanovin dhe Vitor Reisin e transferuar në janar, që do të thotë se ai ishte në gjendje t’i linte pushim titullarët e tij.

I pyetur nëse ata mund të luajnë në “Bernabeu”, trajneri tha: “Shpresoj që po. Të shtunën ata nuk ishin mirë, Ruben tha, ‘Unë nuk jam gati të luaj 90 minuta, ndoshta 15-20’. Natan ishte i sëmurë dhe kishte disa probleme pas ndeshjes kundër Realit, kështu që të dy nuk ishin gati për të luajtur. Por duke pasur edhe Vitor Reis në pankinë, unë nuk do t’i rrezikoja ata”.