Kombëtarja shqiptare e vajzave U-19 luajti sot ndeshjen e parë të raundit të dytë të Kampionatit Europian në grupin B4 ndaj Malit të Zi. Në stadiumin “Elbasan Arena”, vajzat u mposhtën me rezultatin 2-1. Golin e vetëm për Shqipërinë e realizoi kapitenia e ekipit, Xhesika Ndoj.

Trajnerja Luçije Gjini e nisi ndeshjen me këtë formacion titullar ndaj Malit të Zi: Rajmonda Spahiu (GK), Herta Hasaj, Angela Nika, Klea Alushi, Xhesika Ndoj (C), Arjela Lako, Klesta Ago, Rosela Vasa, Juarda Aliaj, Era Methoxha, Stela Vata.

Shqipëria e nisi mjaft mirë takimin dhe që në minutat e para fitoi një penallti. Nga pika e bardhë goditi Xhesika Ndoj, por u ndal nga portierja kundërshtare. Megjithatë, goli erdhi shumë shpejt dhe protagoniste ishte sërish Xhesika Ndoj, e cila realizoi një supergol në minutën e 16-të.

Avantazhi i Shqipërisë zgjati shumë pak, pasi Mali i Zi barazoi shpejt me një penallti. Ishte Katarina Čađenović që goditi saktë në minutën e 19-të. Mali i Zi mori avantazhin në minutën e 25-të me golin e Tatjana Osmajić.

Gjatë pjesës së parë, Shqipëria i shkoi shumë pranë golit të dytë me Klesta Agon, por goditja e sulmueses u ndal nga shtylla.

Fraksioni i dytë nisi me dy zëvendësime për ekipin kuqezi. Nga loja dolën Juarda Aliaj dhe Klea Alushi, ndërsa u aktivizuan Adela Qose dhe Stiljana Guga.

Vajzat tentuan deri në fund për të barazuar ndeshjen, por pa sukses. Në minutën e 79-të, Shqipëria ishte shumë pranë golit, teksa tentoi dy herë me Ndojn dhe Hasajn, por portierja kundërshtare ishte e pakalueshme.

Në fund, ndeshja u mbyll me fitoren e Malit të Zi 2-1.

Po sot, u luajt edhe sfida tjetër e grupit mes Irlandës së Veriut dhe Azerbajxhanit. Në “Shtëpinë e Futbollit”, triumfoi ekipi i Irlandës së Veriut me rezultatin e thellë 4-0.