Një tërmet me magnitudë 5,1 i shkallës Rihter goditi një zonë të detit midis ishujve grekë Amorgos dhe Santorini.

Sipas Institutit Gjeodinamik të Observatorit Kombëtar të Athinës, lëkundja ndodhi pak para orës 10 të mëngjesit sipas kohës lokale, me epiqendrën 21 kilometra në jugperëndim të vendbanimit Arkesinit në jug të ishullit Amorgos, në një thellësi prej 15 kilometrash.

Nuk ka pasur raporte të menjëhershme për dëme apo të lënduar, por tërmeti është ndjerë në disa pjesë, duke ngritur shqetësime tek banorët dhe autoritetet lokale.

Më shumë se 18.400 tërmete u regjistruan në ishujt e arkipelagut Cyclades midis 26 janarit dhe 13 shkurtit, sipas laboratorit sizmologjik të Universitetit të Athinës (EKPA).

Amorgos dhe tre ishuj të tjerë janë në gjendje të jashtëzakonshme deri më 11 mars.
Sizmologët vazhdojnë të monitorojnë zonën për tërmete të tjerë të mundshme.
Ndërkohë, për shkak të aktivitetit sizmik në detin Egje, Greqia njoftoi planet për të ndërtuar një port të veçantë në Santorini për anijet për t’u përdorur në raste urgjente.

Ministri grek i Krizave Klimatike dhe Mbrojtjes Civile, Vasilis Kikilias, tha në një intervistë për televizionin ANT1 se në rast të një tërmeti të madh, banorët e Santorinit duhet të largohen nga zonat bregdetare në pjesët më të larta të ishullit.

Pas diskutimeve me kryeministrin Kyriakos Mitsotakis, Kikilias tha se në bashkëpunim me Forcat e Armatosura, qeveria ka vendosur të ndërtojë një port të dedikuar emergjence përveç portit të madh që po ndërtohet aktualisht në ishull.

Kikilias vuri në dukje se rajoni i Egjeut përmban zona të shumta vullkanike nënujore dhe se ekspertët po monitorojnë nga afër aktivitetin e fundit të magmës në zonë.
Ai gjithashtu theksoi se ekspertët po gjurmojnë ngritjen e tokës dhe zhvendosjen e tokës në Santorini.