Liderja e opozitës bjelloruse, Sviatlana Tsikhanouskaya, ishte e ftuar këtë të enjte në Euronews Albania, ku dha një intervistë ekskluzive në të cilën analizoi situatën politike në Bjellorusi, por dhe influencën ruse në rajon.
Tsikhanouskaya ndodhet në Shqipëri pasi do të marrë pjesë në Samitin “PACT OF FREE CITIES”, ku kryebashkiakë dhe përfaqësues nga rreth njëzet kryeqytete e qytete të Europës janë mbledhur në Tiranë.

Në intervistën e dhënë për gazetarin Thimi Samarxhiu, ajo apeloi që shtetet Perëndimore ta ndihmojnë Bjellorusinë në luftën për liri, kundër regjimit autoritar të Lukashenkos.

“Jam mirënjohëse kryebashkiakut që më dha mundësinë të jem në këtë samit. Erdha këtu për të shpjeguar të gjithëve mysafirëve pse është e rëndësishme demokracia, pse në kohëra kaq turbulente njerëzit duhet ta shohin demokracinë jo si diçka të zakonshme, por duhet mbrojtur dhe duhet luftuar për të”, tha ajo.

Tsikhanouskaya falënderoi Shqipërinë për mbështetjen e dhënë në rezistencën që opozita po bën kundër regjimit autoritar në Bjellorusi.

“Shqipëria po na mbështet shumë, duke luftuar kundër tiranisë. Po përpiqet të na ndihmojë në rezistencën që po bëjmë, të na bashkangjitet kundër çdo ndërhyrjeje që po bëhet në Bjellorusi. Njerëzit këtu janë me një zemër shumë të madhe dhe është një popull që ka kaluar tiraninë dhe e kupton që ne po luftojmë për liri dhe për demokraci”, tha Tsikhanouskaya.

Liderja bjelloruse theksoi se Bjellorusia është njësoj si në kohën e Stalinit, ku njerëzit kanë frikë të flasin pasi burgosen. Ajo tha se Lukashenko nuk e fitoi mandatin e 7-të, por e mori në një vend ku nuk ka as parti politike opozitare, as media.

“Bjellorusia është shumë e rëndësishme për sigurinë e Evropës, pa Bjellorusinë nuk do të ketë paqe dhe stabilitet në Evropë. Prandaj u kërkojmë vendeve të na ndihmojnë në këtë luftë që po bëjmë dhe ashtu si Ukraina edhe ne si bjellorusë po luftojmë për vlerat të cilat ne të gjithë i duam. Nëse ti po lufton, nuk mund të fitosh vetëm. Po luftojmë kundër një diktatori dhe na ndihmoni të luftojmë këtë regjim përmes sanksioneve.

Njerëzit kanë frikë gjatë gjithë kohës, ne po jetojmë si në kohën e Stalinit, apo si Iraku në këto momente. Njerëzit janë nën presion, nuk ka liri të fjalës, nuk ka parti, nuk ka media, gjithçka është e shkatërruar, nuk ka më shoqëri dhe nuk mund të flasim për zgjedhje,” tha ajo.

Ajo shtoi se bashkëshorti i saj ndodhet ende në burg në Bjellorusi dhe nuk dihet nëse është ende gjallë apo vdekur.

“Hera e fundit që fola me bashkëshortin tim ishte përpara 5 vitesh, ishte vetëm 5 minuta se tashmë ai ishte i dënuar. Këto dy vitet e fundit nuk kam dëgjuar asnjë fjalë prej tij. Nuk mund ta vizitoj, nuk mund të kem letra prej tij dhe nuk e di nëse është gjallë. Fëmijët i shkruajnë letra dhe nuk marrin përgjigje, është një dhimbje shumë e madhe”, tha liderja e opozitës bjelloruse.

Intervistën Tsikhanouskaya e mbylli me një analizë të ndryshimeve në gjeopolitikën ndërkombëtare pas ardhjes së Trump në Shtëpinë e Bardhë. Ajo tha se shpreson që Trump t’i bëjë presion Putinit të largojë trupat ushtarake jo vetëm nga Ukraina, por dhe nga Bjellorusia.

“Po shikojmë si po ndryshon situata në SHBA dhe si po ndikon në të gjithë botën. Është një perspektivë e re për marrëdhëniet me ta, por mendoj se vlerat demokratike dhe çështja e sigurisë janë akoma prioriteti për Amerikën, gjithashtu detyra jonë është të rizbulojmë Bjellorusinë për administratën amerikane. Pa Bjellorusinë nuk do të ketë paqe në rajon. Administrata e Trump mund t’i bëjë presion regjimit të Putinit dhe prandaj po kërkojmë të tërhiqen trupat ruse jo vetëm nga Ukraina, por edhe nga Bjellorusia”, tha ajo.