Arabia Saudite ka liruar Salma al-Shehab, një aktiviste e cila u dënua për postime në internet kritike ndaj qeverisë dhe u mbajt në paraburgim për më shumë se katër vjet, thanë grupet e të drejtave të njeriut.
Me rreth 2,600 ndjekës në X, Salma al-Shehab, e cila vjen nga pakica shiite, postonte rregullisht mesazhe në mbështetje të të drejtave të grave në Arabinë Saudite ultra-konservatore.
“Autoritetet saudite kanë liruar aktivisten dhe doktoranten Salma al-Shehab pas katër vitesh ndalim arbitrar për angazhimin e saj ndaj paqes”, njoftoi të shtunën në X, organizata e të drejtave të njeriut ALQST me qendër në Londër.
“Ne u bëjmë thirrje autoriteteve t’i japin asaj liri të plotë, duke përfshirë të drejtën për të udhëtuar për të ndjekur doktoraturën e saj në Universitetin e Leeds në Mbretërinë e Bashkuar,” shtoi organizata.
Sipas Lina al-Hathloul, menaxhere e komunikimit ALQST, “Salma al-Shehab ka kaluar një periudhë të vështirë në paraburgim dhe nuk i ka parë dy fëmijët e saj të vegjël gjatë gjithë kësaj periudhe.”
Në vitin 2022, Salmam nënë e dy fëmijëve, fillimisht u dënua me gjashtë vjet burg për ndihmë “atyre që kërkojnë të prishin rendin publik” dhe për “përhapjen e lajmeve të rreme” përpara se dënimi i saj të shtohej nga një gjykatë apeli, e cila e dënoi me 34 vjet burg. Dënimi më pas u ul në 27 dhe më pas në katër vjet, përfshirë ndalimin e udhëtimit.