Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja foli sot nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë duke theksuar faktin se raportin e tij me drejtësinë e ka personal, përtej formacionit politik ku bën pjesë.

“Në çdo moment, raportin me drejtësinë e kam si qytetar i barabartë përpara ligjit. Në këtë foltore dhe jashtë kësaj nuk keni për ta dëgjuar Ulsi Manjën që të mbrojë këdo që në zbatim të një vendimi penal të formës së prerë deklarohet fajtor nga drejtësia. Nuk kam për t’i bërë avokatinë. Por, prezumimin e pafajësisë e kam në ADN-në time si jurist. Unë nuk hyj në punët e të tjerëve, por koha e gjyqeve publike që ti Sali i ke në ADN tënde ka mbaruar njëherë e mirë në Shqipëri”, tha Manja duke iu drejtuar kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha.

Manja i kërkoi Berishës që të mos merret me çanta dhe parfumet e zonjave, por të merret me punët e PD.

“Në moshën 80 vjeç të kesh këtë axhendë, është për të ta pasur zili, se shokët e tu dalin në mëngjes, si grup profesional, shoqëror, doktorë, pensionistë, juristë pinë një kafe dhe shkojnë merren me nipër e mbesa. Ti edhe vetë ato që flet këtu nuk i beson se të kap e qeshura. Në respekt të moshës që ke, ndryshoji oraret pak, se një pjesë e këtyre nuk ngrihen në një orë që ngrihesh ti sepse ia kanë futur gjumit këta”, tha ai.

“Edhe një sugjerim timin ta kesh, mos u merr me fustane e me çanta e mos u merr me pantallona e me parfume zonjash se është turp”, pohoi Manja.

Ministri i Drejtësisë u shpreh me keqardhje për Partinë Demokratike që sipas tij lindi si vokacion i shqiptarëve për demokraci, për fjalën e lirë, për ndarjen e pushteteve dhe sundimin e ligjit.