Qyteti i Bielefeldit në Gjermani është trazuar sot nga disa të shtëna me armë që kanë ndodhur menjëherë pas përfundimit të seancës për vrasjen e boksierit Besar Nimani. ZËRI ka siguruar pamjet e para nga vendi i ngjarjes fill pas të shtënave. Siç duket nga pamjet, vëllai i autorit, i cili ka marrë plumb në këmbë, vrapon për të parë të atin. Edhe ky i fundit ka mbetur i plagosur në mushkëri dhe ndodhet në gjendje kritike për jetën.

Disa nga mediat gjermane raportojnë edhe për një person të tretë të plagosur, por pritet konfirmimi nga ana e Policisë gjermane. Një nga autorët është kapur, ndërsa tjetri u zhduk nga vendi i ngjarjes me një makinë ngjyrë të zezë.

E gjithë ngjarja e sotme ka ndodhur thuajse një vit nga vrasja e boksierit shqiptar. Hüseyin Akkurt, i cili ishte në gjykatë sot, akuzohet se i ka zënë pritë Besar Nimanit së bashku me Ayman Daëoud Kirit. Ky i fundit është ende në arrati. Vrasja ndodhi më 9 mars të vitit të kaluar, por nuk dihet arsyeja. Dyshohet për një pazar të prishur droge, por vëllai i boksierit në daljet e tij për mediat pretendon se autorët ishin pjesë e një bande kurde që donte t’i vendoste gjobë vëllait të tij.