Aston Villa ka arritur të sigurojë shërbimet e yllit anglez, Marcus Rashford nëpërmjet një huazimi 6-mujor nga Manchester United.
27-vjeçari anglez i është bashkuar ekipit të Unai Emery deri në fund të sezonit në një marrëveshje e cila përfshin një opsion për ta blerë atë për 40 milionë paund.
Burimet e afërta me United thanë se një minimum prej 75% e pagës së Rashford do të mbulohet nga Aston Villa, e cila nuk do paguajë tarifë huazimi.
Pas transferimit, Rashford bëri një postim në Instagram ku shkroi: “Unë do të doja të falënderoja Manchester United dhe Aston Villa që realizuan këtë marrëveshje huazimi. Isha me fat që disa klube ishin të interesuar për mua, por Aston Villa ishte një zgjedhje e lehtë, e admiroj stilin e lojës së Aston Villa këtë sezon si dhe ambiciet e trajnerit për të ardhmen e ekipit. Unë thjesht dua të rikthehem në fushë dhe jam i emocionuar për të filluar me ekipin tim të ri”.
Pasi u la në stol nga trajneri i ri i United për derbin e Mançesterit në dhjetor, anglezi Rashford tha se ishte “gati për një sfidë të re”. Ndër klubet e interesuara për firmën e Rashfort ishin dhe gjigantët katalanas të Barcelonës, por transferimi nuk u materializua për shkak të problemeve financiare të blaugranasve.
Villa është gjithashtu afër nënshkrimit të mesfushorit spanjoll Marco Asensio në huazim nga Paris St-Germain.