Me ftesë të homologut të tij turk z. Hakan Fidan, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Igli Hasani zhvilloi sot një vizitë zyrtare në Ankara, Turqi.

Ai u prit në një takim të përzemërt nga Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Turqisë, z. Hakan Fidan, me të cilin zhvilloi një shkëmbim të frytshëm mendimesh lidhur me zgjerimin dhe thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh, në të gjitha fushat me interes të përbashkët, por edhe për sa i takon bashkëpunimit rajonal, zhvillimeve në rajon, Evropë dhe më gjerë.

Në lidhje me vizitën e sotme zyrtare në Ankara, Ministri Igli Hasani u shpreh:

“Rritja e bashkëpunimit ekonomik dhe tërheqja e investitorëve turq në Shqipëri që ofron gjithmonë potencial të lartë e të favorshëm investimi, avancimi i shkëmbimeve tregtare me objektiv shifrën e 2 miliard eurove, dinamikat rajonale e më gjerë për sigurinë e stabilitetin, forcimi i bashkëpunimit në organizatat ndërkombëtare, Samiti i VI-të i Komunitetit Politik Evropian që do të mbahet në Maj 2025 në Tiranë, etj. – ishin disa prej temave që diskutuam me mikun e mirë, Hakan Fidan”.

Në zbatim të Deklaratës se Partneritetit Strategjik, nënshkruar më 6 janar 2021, ky është takimi i tretë i Grupit për Dialog Politik, në nivel Ministrash të jashtëm, i cili po punon për përgatitjen e takimin e radhës të Këshillit të Nivelit të Lartë të Bashkëpunimit, kryesuar nga Kryeministri Rama dhe Presidenti Erdoğan.

Gjatë vizitës së tij zyrtare në Turqi, Ministri Hasani vizitoi edhe Mauzoleun e Ataturkut, ku vendosi një kurorë me lule në nderim të themeluesit të Republikës së Turqisë, Mustafa Kemal Atatürk.