Avokati dhe ish-kryeprokuror i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Eugen Beçi i ftuar në emisionin Dekalog në DritareTv nga Roland Qafoku ka komentuar deklaratën që dha kryeministri Edi Rama gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, ku shprehej; SPAK-u mos të bëjnë gabim të vijnë të kërkojnë telefonin tim.

Ish-kryeprokuror i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, i ka dhënë të drejtë Edi Ramës.

“Nëse hetimi pasuror bëhet i pa-bazuar, kalojmë në shkelje. Prokuroria po tenton të targetojë një person dhe ta marrë atë person, ta fusë në filtrat e hetimit pasuror ose penal dhe pastaj të fillojë të gjejë veprën penale. Është shkelje sepse hetimi duhet të nisë pasi është deklaruar vepra penale, grupi hetimor vendoset në lëvizje dhe fillon punën. Por nuk mundet që një personi t’i kërkohet telefoni dhe t’i thuhet që do të bëj hetime për ty dhe të gjej ndonjë korrupsion për ty. Kjo gjë nuk funksionon kështu, ndaj kryeministri ka shumë të drejtë kur thotë se nuk e dorëzon telefonin. Edhe pse unë mendoj se Rama e kishte për të gjithë telefonat e popullit që janë marrë në mënyrë të padrejtë, ai ka të drejtë kur thotë që celulari nuk merret pa prova, duhet të jetë i bazuar.” – tha ish-kryeprokurori i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Eugen Beçi.

Kujtojmë që kryeministri Edi Rama gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, ironizoi mbledhjen e të dhënave nga autoritetet hetimore, duke thënë se tashmë “kanë mbledhur gjithë telefonat e Shqipërisë” dhe duhet të përqendrohen te faktet.

Rama i paralajmëroi që të mos gabojnë t’i kërkojnë telefonin e tij.

“E fundit, që kam është një ngushëllim për veten time dhe për ju bashkë me mua, që i keni hyrë detit në këmbë, që është mirë ta ndaj me ju. Kemi marrë përsipër të jemi në pushtet dhe brinjët t’ia lemë në dispozicion drejtësisë.

Nuk kam pishman. E vetmja pyetje është a do t’ia dalim ta bëjmë të pakthyeshme reformën në drejtësi. A do t’ia dalim që institucionet e drejtësisë të përdorin pavarësinë për të bërë drejtësi apo do të bëjnë politikë. Meqë njërin po e lemë në ballkon, të shkojmë të kapim tre nga këta. Të shkojmë të kapim njërin për diplomë.

Mos të bëjnë gabim të vijnë të kërkojnë telefonin tim, boll i kanë. Kanë mbledhur të gjithë telefonat e Shqipërisë. Në vazhdën e indeksit të perceptuar të korrupsionit, Shqipëria dje doli në Transparency International në pozicionin më të mirë që ka qenë ndonjëherë për luftën kundër korrupsionit. Kur ka dalë keq, është bërë lajm, kanë dalë nëpër konferenca, kanë bërë emisione, për këtë s’e di a doli gjëkundi”, tha Rama. /E.P-dritare.net