Në Rusi po rriten pritshmëritë për një takim mes Presidentit Donald Trump dhe atij rus Vladimir Putin, për të cilin nuk ka ende një datë. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Jonathan Spier, banorët e Moskës e mirëpresin atë që e shohin si një shkrirje akulli në marrëdhëniet me Uashingtonin, apo si fillimi i fundit të izolimit të vendit të tyre nga Perëndimi. Udhëheqësit rus nderojnë ata që kanë vdekur në këto tre vjet të luftës në shkallë të gjerë në Ukrainë. Tashmë që konflikti ka hyrë në vitin e katërt, Rusia e quan atë ende një “operacion special ushtarak” dhe rusët po e shënojnë me aktivitete, përfshirë një ekspozitë me portretet e të rënëve. Por është mundësia e një takimi ballë për ballë mes Presidentit Trump dhe atij rus Putin ajo që dominon bisedat në rrugët e Moskës. Maxim Ilyinov është një prej artistëve që marrin pjesë në një ekspozitë përkujtimore me portrete. Ai e sheh qasjen e Presidentit Trump si një marrëdhënie biznesi dhe një gjë pozitive. “Trump gjithmonë thotë ‘le të bëjmë një marrëveshje’. Ky është biznes. Ata që bëjnë marrëveshje nuk i humbasin mundësitë, por kërkojnë të përfitojnë. Me të mund të negociohet, sepse ai do para, jo plumba”, thotë artisti Maxim Ilyinov. Marrëdhëniet mes Moskës dhe Uashingtonit shënuan pikën më të ulët të tyre për shkak të mbështetjes politike dhe ushtarake që ish-Presidenti Joe Biden dha për Ukrainën. Premtimet e Presidentit Trump për t’i dhënë fund luftës dhe ftesa ofruar Rusisë dhe jo Ukrainës, për negociata për paqe, ka ngjallur entuziazëm në Moskë, për një fillim të ri.

Por entuziazmi zbutet nga zërat që bëjnë thirrje për ulje të pritshmërive.

“Kujtojmë presidencën e parë të Trumpit, kur në përgjithësi, ndaj vendit tonë nisën të vendosen sanksione masive si kurrë më parë, si dhe po shtoheshin furnizimet me armë për Ukrainën. Në atë kohë u bë shumë për të përkeqësuar situatën lidhur me krizën ukrainase si dhe marrëdhëniet mes Moskës dhe Uashingtonit”, thotë Alexey Gromyko, i Institutit të Evropës në Akademinë ruse të Shkencave. Zërat e rusëve që kundërshtojnë sulmin ndaj Ukrainës janë heshtur, ose ata janë detyruar të mërgojnë. Ata i shohin negociatat e propozuara nga Presidenti Trump si një fitore de fakto politike dhe ushtarake për Presidentin Putin.

“Rusia do të donte vërtet të kishte marrëdhënie fuksionale me Shtetet e Bashkuara, me kusht që interesat ruse të merreshin parasysh në Ukrainë. Ky është në fakt plani mjaft ambicioz i Putinit, i cili nuk ndryshon aspak nga kapitullimi i Ukrainës”, thotë Anton Barbashin, i institutit ‘Riddle Rusia’ (Gjëegjëza ruse) që bën bashkë një grup ekspertësh, që ofrojmë analiza të pavarura dhe të balancuara mbi Rusinë. Mendimi i përgjithshëm në rrugët e Moskës është se me Presidentin Trump është hapur një derë që ishte e pamundur nën administratën Biden.
“Trump është një person më i arsyeshëm dhe pragmatik. Ata që e rrethojnë, Elon Musku, e të tjerë, janë njerëz të zgjuar”, thotë Alisa, një banore e Moskës. “Nuk kishte vend për negociata me Bidenin. Ai fshehu të vërtetën dhe kishte interesa personale në Ukrainë”, thotë Sergey, një banor i Moskës. “Në përgjithësi, të them të drejtën, nuk më intereson. Ne do të fitojmë. Nuk më intereson as Amerika dhe as Europa”, thotë Dmitri, banor i Moskës. Shumë rusë thonë se duan që lufta në Ukrainë të marrë fund dhe ata i shohin hapat e sinjalet e hedhura nga Presidenti Trump si një mundësi për një marrëveshje paqeje, që ata shpresojnë se do t’i japë fund jo vetëm luftës, por edhe sanksioneve e izolimit të Rusisë.