Ministrat e Mbrojtjes së vendeve anëtare të NATO-s janë takuar sot në Bruksel, teksa SHBA dhe Rusia deklarojnë se kanë nisur negociatat për paqe në Ukrainë, pa përfshirë në tryezë BE-në apo edhe vetë Ukrainën.
Në një reagim lidhur me këtë takim, ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu shprehet se vendet evropiane duhet të rrisin kapacitetet luftarake dhe marrjen e përgjegjësive të reja për mbrojtjen e kontinentit, në kuadër të një “impulsi të ri amerikan”.
Ai thotë se Shqipëria do të fokusohet në rritjen e kapaciteteve operacionale, ringjalljen e industrisë ushtarake dhe infrastukturën e forcave të armatosura.
Vengu gjithashtu ka theksuar rëndësinë për rritjen e vigjilencës në raport me Kosovën por edhe në zonën Adriatiko-Joniane. Vengu ka pasur një takim edhe me sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth.
Reagimi i Vengut:
Në takimin e Ministrave të Mbrojtjes së vendeve të NATO-s, ku kryefjala ishte rritja e domosdoshme e kontributeve dhe kapaciteteve të vendeve aleate, në dritën e negociatave për një paqe të qëndrueshme mes Rusisë dhe Ukrainës.
Nën impulsin e ri amerikan, pritshmëritë janë të larta për një përpjekje më të madhe të vendeve evropiane në forcimin e kapaciteteve luftarake dhe marrjen e përgjegjësive të reja për mbrojtjen e kontinentit.
Shpreha gatishmërinë e Shqipërisë që shtimin e burimeve financiare për mbrojtjen ta përkthejmë në:
– më shumë kapacitete operacionale,
– ringjallje të industrisë ushtarake,
– infrastrukturë në mbështetje të modernizimit të forcave tona dhe në funksion të Aleancës.
Në këtë kontekst, një industri ushtarake reaguese është kyçe për të prodhuar armatimin, municionet dhe pajisjet e nevojshme.
Gjithashtu, theksova nevojën për vigjilencë të shtuar të Aleancës në Evropën Juglindore, veçanërisht në raport me Kosovën, si dhe në zonën Adriatiko-Joniane, ku planet aleate meritojnë të përditësohen me veprime të reja strategjike përballë sfidave të shumta hibride me të cilat po përballemi.