Për disa nga pedagogët e Universitetit Bujqësor të Tiranës, prokurorët e SPAK janë tërhequr për konfirmimin e masave të sigurisë, duke thënë “e lëmë në çmim të gjykatës”.
Siç raporton gazetarja e Top Channel Anila Hoxha, e cila ka ndjekur nga afër procesin gjyqësor, për disa prej atyre që kanë arsye të veçanta familjare dhe që kanë projektet me të huajt, do t’ia lënë gjykatës se çfarë të vendosë.
Bejo Bizhga, shef departamenti siç raporton Anila Hoxha, ka deklaruar se është i pafajshëm dhe se bën zbulime shkencore dhe se nuk merret me tendera.
“Kam punuar për këtë vend prej një jete, kam përgatitur breza, kam nxjerrë veterinerë. Në këtë pikë që jam sot dua të them se ia kam gjetur diabetit shërimin, s’po i gjej dot shërimin stresit që më solli ky hetim, nuk do shëroj dot më trurin nga kjo. Unë bëj zbulime shkencore, nuk merrem me tendera”, ka deklaruar ai.
Zëvendës rektori Pashaj ka deklaruar se pas hetimit të SPAK, disa zyrtarë janë larguar nga puna, duke shtuar se edhe nëse do të jetë e ligjshme angazhimi në tendera, pas kësaj nuk do të pranojnë të merren.
“Që kur filloi hetimi i SPAK disa u larguan nga puna dhe me këtë që po ndodh edhe po të jetë ligjore nuk do angazhohemi më tendera. Kjo do të thotë se në institucionet e kërkimit shkencor të pezullohet puna”, tha ai.
Nga ana tjetër zëvendës rektorja Romina Koto ka deklaruar: unë kam dhënë idenë e dixhitalizimit të laboratorëve që në çdo kohë të kishte akses, dhe vetëm se dhashë këtë ide jam këtu. Për këtë inovacion, pa bërë asnjë veprim u vendosa nën hetim.
Avokati i saj, pasi mbaroi përfaqësimin, tregoi se kishin më shumë se një vit nën hetime.
“Kemi ardhur sa herë na kanë thirrur dhe kjo zonjë, është fortlumturisht e martuar për shkak se është bashkëshortja ime”, tha ai.