Një armëpushim i brishtë midis Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës hyri në fuqi në janar.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu paralajmëroi Hamasin të martën se Izraeli do t’i jepte fund armëpushimit në Gaza nëse pengjet e mbajtura nga Hamasi nuk do të ktheheshin, siç ishte planifikuar deri të shtunën.

“Nëse Hamasi nuk i kthen pengjet tona deri të shtunën në mesditë, armëpushimi do të përfundojë dhe IDF do t’i kthehet luftimeve intensive deri në një fitore përfundimtare ndaj Hamasit”, tha Netanyahu.
Ai shtoi se kishte urdhëruar trupat izraelite të grumbulloheshin brenda dhe rreth Gazës, në përgjigje të njoftimit të Hamasit se do të shtynte lirimin e pengjeve deri në një njoftim tjetër.

Hamasi tha të hënën se do të shtyjë lirimin e planifikuar të tre pengjeve izraelitë të shtunën, duke përmendur pretendimet se Izraeli kishte shkelur kushtet e një marrëveshjeje të brishtë të armëpushimit midis dyshes.

Në përgjigje të komenteve të Netanyahut, Hamasi tha se ishte i përkushtuar ndaj marrëveshjes së armëpushimit dhe se Izraeli ishte përgjegjës për “çdo ndërlikim dhe vonesë”.