Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, i dhuroi Donald Trump një pager të artë, (biper) si një “kujtim” nga operacioni i kryer nga Mossadi kundër militantëve të Hezbollahut gjatë verës. Ky episod konsiderohet një moment kyç i konfliktit në Lindjen e Mesme. Pageri, i vendosur mbi një “piedestal”, shfaq në ekran mbishkrimin “të përdoret me të dyja duart”, një referencë ndaj trukut të shërbimeve sekrete izraelite për të detyruar guerilët të mbajnë pajisjen me kujdes, duke rritur efektin e shpërthimit. Në një deklaratë zyrtare të qeverisë izraelite theksohet se ky operacion shënoi një pikë kthese, duke treguar “epërsinë teknologjike të Izraelit”. Sipas mediave, Trump e ka pritur me kënaqësi këtë dhuratë dhe ia ka kthyer me një foto ku ai shfaqet së bashku me Netanjahun, të shoqëruar me dedikimin: “Për Bibi-n, një lider i madh”.
Misioni
Operacioni i Mossadit kishte kërkuar një përgatitje të gjatë dhe përfitonte nga nevoja e Hezbollahut për sisteme alternative komunikimi. Sipas Washington Post, në vitin 2015 agjentët izraelitë arritën t’i dërgonin militantëve radio të manipuluara, të cilat përmbanin një “derë të fshehtë” që lejonte përgjimin e komunikimeve dhe një mikro-karikë shpërthyese.
Më pas, në vitin 2022, disa kompani guaskë u krijuan në Budapest dhe Sofje, me lidhje në Lindjen e Mesme, për të shitur pagera të modifikuar një të dërguari të Hezbollahut. Pajisjet përmbanin një minë të fshehur brenda baterive litium, një ndryshim që i shpëtoi të gjitha kontrolleve. Mekanizmi përbëhej nga pesë elementë: burimi i energjisë, ndezësi, detonatori, lënda shpërthyese dhe “mbështjellja” e jashtme.
Sulmi
Gjatë fazës përgatitore, izraelitët dyshohet se eliminuan një figurë të rëndësishme të Hezbollahut, e cila kishte nisur të dyshonte për pajisjet. Krahu i armatosur i milicisë shiite vendosi t’i dërgonte pagerat në Iran për një verifikim të mëtejshëm. Sipas një versioni tjetër, kontrollet ishin bërë, por nuk u zbulua asnjë anomali.
Më 17 shtator 2024 , Mossadi aktivizoi pajisjet, duke goditur shumë anëtarë të lartë të Hezbollahut, por edhe civilë. Pasojat ishin të rënda: brenda pak ditësh, liderët kryesorë të grupit u vranë në strehët e tyre nëntokësore, falë informacioneve të sakta që dëshmuan nivelin e lartë të depërtimit të Mossadit në radhët e armikut. /Corriere della Sera/