Nga Jakin Marena

Në skenën politike shqiptare kanë nisur të dalin parti të reja politike dhe për pasojë dhe ekranet televizive kanë nisur të zihen nga liderët e këtyre partive. Dhe ky është një zhvillim që ngjall shpresë për politikën shqiptare, por dhe për shqiptarët duke krijuar idenë se ata do të kenë mundësi më shumë për të zgjedhur sa herë që u jepet mundësia.

Por ama vetëm liderët e këtyre partive të reja janë ata që na prezantohen publikisht, dhe ne deri këtu i njohim këto parti, të cilat po futen në ‘xhiron’ e sondazheve edhe sipas deshirës së organizatorëve të këtyre elementëve që tregojnë për publikun tendencën se nga është orientuar vota e shqiptarëve. Herë hidhen në sondim si parti më vete, herë në mënyrë selektive, disa vetëm ndërsa të tjerat në grup. Si t’i vijë për mbarë atij që organizon sondazhin.

Të kuptohemi, nuk akuzojmë askënd se sondazhet janë të pabesueshme. Përkundrazi, sinqerisht i besoj këto sondazhet serioze dhe nuk ka pak të tilla. Rezerva kam një çikë për atë ‘tabelën’ ku renditen partitë që do të ‘testojnë’ mbështetjen e qytetarëve për të dhënë më pas gjetjet për secilin subjekt politik. Pra rezultatin e sondazhit.

Kjo përzgjedhje më duket se bëhet sipas ‘humorit’ të organizatorit, herë futet një parti apo dy parti të reja me emrin që kanë, ndërsa të tjerat përfshihen në grup nën emërtesën ‘partitë e reja”, herë futen parti të tjera, dhe qytetarët kuptohet do të votojnë ato parti që u del emri në sondazhin e hedhur për t’u pyetur. Të tjerat, janë ‘mall shumicë” në sondazhe.

Por nuk është ky qëllimi i këtij opinioni. Qëllimi i vërtetë është dhënia e një mendimi modest për fenomenin e partive të reja, prurjet e reja politike në këto subjekte që kanë nisur të kërkojnë dhunshëm votën e qytetarëve shqiptarë, ‘fytyrën’ politike të liderëve të rinj, çfarë risie kanë sjellë në politikën shqiptare dhe mbi të gjitha pse duhet që qytetarët shqiptarë të votojnë pikërisht ata, dhe jo partitë traditcionale të deritanishme e për pasojë dhe liderët e konsoliduar politikë.

Duke ‘anashkaluar’ partitë e ‘vjetra’ PS, PD, PSD, PL e deri diku LZHK që është në aleancë me PLL dhe që po tenton të marrë dhe ‘frakturat’ e shkëputura nga PD, duke ‘anashkaluar’ edhe partinë “Djathtas 1912” të Enkelejd Alibeajt apo Lëvizjen Demokratët Euroatlantikë të Lulzim Bashës, të dyja të dala nga trungu i PD e që, edhe organizatorët e sondazheve për ‘kollajllëk’ nuk i kanë fare në ‘radar’ për t’ua futur emrin në listën e sondimit të qytetarëve për zgjedhjet e 11 majit por i lënë tek ‘shumica’ në fund të listës pa emër, po marrim në analizë partinë “Mundësia” të Agron Shehajt, Lëvizjen “Bashkë” të Arlind Qorit, partinë “Shqipëria bëhet” të Adriatik Lapajt, por dhe “Nismën Thurje” të Endi Shabanit, kjo e fundit jo fort e re, ia vlen të nënvizojmë se çfarë fryme sjellin këto subjekte të reja në skenën politike shqiptare.

Me përjashtim të “Mundësisë” së Shehajt, i cila është më racionale në atë që kërkon, duke përzgjedhur me kujdes dhe bazën sociale të cilës i drejtohet dhe teksa ka evidentuar në program punësimin, luftën kundër korrupsionit si dhe ka përjashtuar aleancat me partitë e vjetra apo ato të sponsorizuara nga partitë e vjetra, partitë e tjera të reja kanë si një ‘miksim’ programi të partive të vjetra apo traditcionale, një ofertë identike me partitë traditcionale, të shoqëruar me slloganin e liderëve të rinj të këtyre partive të paprovuar ndonjëherë në administratë, parlament apo dhe në politikë se ‘ne e bëjmë më mirë”.

Por ajo që vëmë re me sy të lirë është fakti se mbi të gjitha ata kanë të njejtën sjellje të dhunshme në publik, kanë të njejtën kapardisje a thua se kanë gjetur ‘zemrekun’ e rrotullimit më të ri të botës, apo kanë bërë zbulimin suplementar se si mund të fitohet vota më mirë dhe më lehtë përmes rrjeteve sociale. E kuptohet, janë një ‘katalog’ idesh se si do të qeveriset më mirë nesër.

Ama, ashtu si liderët e ‘vjetër’ janë tepër të ndjeshëm ndaj kritikave apo kritikëve, reagojnë shumë më keq ndaj televizioneve apo moderatorëve sa herë që nuk u shkon diçka për osh, dhe herë herë ushtrojnë dhe dhunë ndaj njëri tjetrit nëpër tubime politike ku përplasen si kurrë më parë, duke ia marrë erzin vetes, ‘frymës së re’ dhe mbi të gjitha politikës së re që mendojnë se po sjellin në këtë vend të dominuar nga dy partitë e mëdha, PS dhe PD. Kurrë më parë tek partitë traditcionale e të mëdha nuk ka ndodhur që të përplasen militantët në të njejtin tubim, janë gjetur ambiente të ndryshme e larg njëri tjetrit, janë shmangur oraret e njejta dhe janë evituar përplasjet e dhunshme

Për hir të së vërtetës, me gjithë dashamirësinë e treguar nga qytetarët shqiptarë, mediat, nga ata që organizojnë sondazhe, por dhe ata që qëndrojnë pas tyre, të dukshëm apo të padukshëm, këto parti kanë treguar dhe po tregojnë se nuk ngjisin në elektorat. Nuk kanë mbështetje.

Nuk po marrim në referencë sondazhet, megjithëse një pjesë e tyre janë shumë profesionale dhe të besueshme dhe herë herë japin dhe rezultate befasuese për ndonjërën nga këto partitë e reja. Por po të pyesësh këdo qytetar që të takosh se çfarë të reje pret nga partitë e reja, nuk do të marrësh një përgjigje definitive prej tyre, por thjeshtë dhe vetëm një ngritje supesh. E përgjigjia më premtuese është përsëritja e slloganeve të lidershipit traditcionalë. Kaq kanë mundur të ‘implementojnë’ tek qytetarët shqiptarë partitë e reja dhe lidershipi i tyre. Madje në shumicë imitojnë atë, të paimitueshmin, vetë Sali Berishën. Pas kësaj dihet se çfarë vjen.

Ndaj me ndonjë rezervë, fjala është për “Mundësia” e Agron Shehajt, partitë e tjera të reja të spektrit politik shqiptar që kanë dalë në ‘tregun’ e politikës së ditës, më shumë se sa parti terreni janë parti ekranesh e rrjetesh sociale, që të argëtojnë për hir të së vërtetës, madje të japin ndonjëherë dhe ‘dëshirën’ për të hedhur ndonjë mllef në këto adresa, por ama kur vjen puna për të hedhur votën ditën e zgjedhjeve, në rastin konkret më 11 maj, votuesi mendohet mirë! Sepse në ato fraksione sekondash merr fund tifozllëku, merr fund ndonjë inat shpërtheyes për ndonjë –punë të pabërë, dhe votuesi i thërret logjikës, duke zgjedhur atë që ‘nuk do ta bësh dhëndër, por do ta marrësh në punë për 4 vitet e ardhshme’. Pra ndryshon puna para kutisë së votimit.

Parë në këtë këndvështrim, ajo që mund të themi jo fort pa dhimbje është se pritet që asnjë prej partive të reja nuk do të shihet si parti parlamentare në sallën e Kuvendit, pasi nuk do të arrijnë të marrin asnjë deputet në asnjë prej qarqeve të Shqipërisë, megjithëse mund të marrin ndonjë votë të shpërndarë andej këtej, larg mundësisë së marrjes së mandatit. Dhe në vend të tytë, nuk përjashtohet mundësia që këto partitë e tjera, përfshirë dhe lëvizjet e Bashës në koalicion apo dhe Alibeajt, të ‘papërfshira’ më vete në këto sondazhet, të marrin në realitetin e frikshëm dhe konkret të zgjedhjeve ndonjë deputet për të qënë parti Parlamentare.

Rasti i PSD të Tomë Doshit na vjen në ndihmë në këtë rast, pasi ka rrëzuar pritshmëritë gjithnjë. Futet dhe tradita në këtë rast, ku asnjë prej partive të reja nuk ka bërë hajr. Mori dhe PDr e Genc Pollos 5 deputetë më 2001 por katër viute më vonë u shkri, apo Aleanca Kuqezi, e cila në sondazhe arrinte rezultate dyshifrore për ansjë deputet nuk futi në Kuvend. Rast unik përbën LSI e Ilir Metës, po ishte hedh leku madh, ndërsa tani me emër ndryshe po shkon poshtë e më poshtë..

Ndërsa për partitë e reja, për hir të së vërtetës ndikon pak dhe sistemi proporcional rajonal në rezultatet negative që parashikohen të merren në fund të herës, mbi të gjitha ndikon pamundësia e lidershipit të këtyre partive për t’u prezantuar me një fytyrë të re politike para qytetarëve shqiptarë, me një fytyrë të ndryshme politike nga ajo që është parë në këto 34 vite. Për të mos thënë se janë pinjollë të këtyre të vjetrave që zotohen t’i luftojnë. Pra mungon fytyra e vërtetë e tyre, një projekt i ri politik që mund të zhbëjë traditcionalen.

Këta liderët e rinj të partive të reja politike në Shqipëri na kujtojnë ata të rinjtë shqiptarë dhe përtej Shqipërisë që konkurrojnë nëpër këto formatet televizive të talent show-it në muzikë. Të gjithë ata nuk konkurrojnë me këngët e veta, por me këngët e këngëtarëve të mëdhenj, të vjetër dhe big.

Kështu dhe liderët e rinj politikë në Shqipëri, prezantohen me slloganet e liderëve të partive të mëdha, marrin pozat e tyre, zotohen dhe premtojnë si ata, flasin pa asnjë fakt dhe shajnë në të njejtën mënyrë, pa iu dridhur syri. Madje i imitojnë deri në bezdisje, duke sjellë dhe shembujt më të këqinj se si mund të bëhet politike kë këtë vend, si të ishin nxjerrë nga ‘hundët’ nga ai, i paimitueshmi Sali Berisha. Qytetarët shqiptarë s’janë budallenj. Më mirë votojnë origjinalin sesa kopjet, sado të mira të jenë prezantuar. Nuk ia shtojnë koston vetes, për të shumëfishuar të ‘klonuarit’ e vjetër me emra partish të reja. Qofshim të gabuar, por megjithatë 11 maji erdhi. Do të rrojmë dhe do të shohim. Deri atëherë të presim, si do të na prezantohen këto liderët e rinj të partive të reja, shumica të lindur ‘pleq’!