Skema masive e Elon Musk për largimin nga puna e punonjësve federalë amerikanë u pezullua nga një gjykatës disa orë përpara afatit të mesnatës për t’iu përgjigjur emailit të tij duke ofruar deri në shtatë muaj pagë për të hequr dorë.
Rreth 40,000 punëtorë deri të mërkurën u përgjigjën duke dërguar me email fjalën “dorëheqje” në Zyrën e Menaxhimit të Personelit të SHBA, pasi oferta e pagesave u organizua nga Departamenti i Efikasitetit të Qeverisë e drejtuar nga Musk (DOGE).
Administrata Trump u bllokua përkohësisht nga zbatimi i planeve të saj kur George O’Toole Jr, një gjykatës në Boston, i vendosi ato në pritje deri në një seancë të plotë gjyqësore më 10 shkurt për të shqyrtuar ligjshmërinë së procesit.
Emaili origjinal kopjoi formulimin e ultimatumit të dorëheqjes të marrë nga punonjësit e Tëitter pasi Musk mori detyrën në 2022.
Të gjithë, përveç disa kategorive të 2.4 milionë punonjësve civilë federalë, iu tha se mund të aplikonin dhe duhet ta bënin këtë nëse nuk dëshironin të respektonin urdhrin ekzekutiv të Presidentit Trump për të punuar në zyrë pesë ditë në javë.
Trump e bëri të qartë se Musk ka mbështetjen e tij të plotë, duke thënë të hënën: “Ai është një djalë shumë i talentuar nga pikëpamja e menaxhimit dhe kostove. Ne po përpiqemi të zvogëlojmë qeverinë dhe ai ndoshta mund ta zvogëlojë atë si më mirë se kushdo tjetër”
Reformat e Trump kanë filluar të prekin shumë departamente dhe agjenci federale, duke përfshirë:
CIA
Agjencia Qendrore e Inteligjencës fillimisht u përjashtua nga emaili por ndoqi shembullin një javë më vonë me oferta për tepricë me pagesë për punonjësit, tha agjencia të mërkurën. Ajo nuk pranoi të thotë se sa punonjës kanë marrë oferta apo nëse kanë pasur një afat.
John Ratcliffe, i nominuari i Trump si drejtor, premtoi ndryshime të mëdha gjatë seancës së tij të konfirmimit në Senat. CIA është kritikuar për dërgimin e një emaili të paklasifikuar në Shtëpinë e Bardhë ku renditen punonjësit e punësuar në dy vitet e fundit, në lidhje me përpjekjet për uljen e kostove. “Këto lëvizje janë pjesë e një strategjie gjithëpërfshirëse për të mbushur agjencinë me energji të rinovuar, për të ofruar mundësi për liderët në rritje për të dalë dhe për të pozicionuar më mirë CIA-n në përmbushjen e misionit të saj”, tha agjencia.
Mbrojtja
Trump urdhëroi Pentagonin të fillojë një rishikim që pritet të ndalojë personat transgjinorë të regjistrohen në ushtrinë amerikane dhe ata që janë të shkarkohen. “Pohimi i një burri se ai është një grua dhe kërkesa e tij që të tjerët ta respektojnë këtë gënjeshtër, nuk përputhet me përulësinë dhe vetëmohimin e kërkuar nga një pjesëtar i shërbimit”, thuhej në urdhrin ekzekutiv të Trump.
Pete Hegseth, sekretarit të mbrojtjes, iu dha 30 ditë për të paraqitur një plan për zbatimin e urdhrit. Rreth 15,000 persona të personelit ushtarak janë transgjinorë në detyrë aktive dhe në Gardën Kombëtare.
Diversiteti, barazia dhe gjithëpërfshirja
Departamentet federale u urdhëruan të pezullojnë të gjithë stafin e përfshirë në ofrimin e politikës së diversitetit, barazisë dhe përfshirjes (DEI) deri më 22 janar në përputhje me urdhrin ekzekutiv të Trump për të “përfunduar, në masën maksimale të lejuar nga ligji, të gjitha zyrat dhe pozicionet e DEI, DEIA.
“Ne mezi presim të rikthejmë miliona dollarët që departamenti po shpenzonte për programet dhe personelin e DEI-së për t’u shërbyer më mirë burrave dhe grave që i kanë shërbyer me guxim kombit tonë” tha Morgan Ackley, një zëdhënëse e departamentit.
Arsimi
Trump po përgatit një urdhër ekzekutiv për të çmontuar Departamentin e Arsimit, i cili ka 4,400 punëtorë. Megjithatë, mbyllja e departamentit zyrtarisht do të kërkonte një akt të Kongresit me 60 nga 100 vota në Senat, gjë që do të ishte e pamundur duke pasur parasysh se republikanët kanë 53 vende dhe asnjë demokrat nuk ka të ngjarë ta mbështesë atë.
Trump tha të martën se i kishte thënë Linda McMahon, të emëruarës së tij për sekretaren e arsimit: “Linda, shpresoj që të bësh një punë të shkëlqyer dhe t’i lirosh punë vetes, ajo që dua të bëj është që shtetet të drejtojnë shkollat e tyre”.
Inspektorët e përgjithshëm
Trump shkarkoi 17 nga inspektorët përgjegjës për mbikëqyrje dhe parandalimin e mashtrimit në çdo departament qeveritar. Trump u tha gazetarëve se “është një gjë shumë e zakonshme për t’u bërë”.
Schumer i quajti shkarkimet një “spastrim rrëqethës”, ndërsa Chuck Grassley, një senator veteran republikan, tha se megjithëse mund të ketë një arsye të mirë që inspektorët u pushuan, njoftimi i detajuar 30-ditor i pushimit nga puna që ligji kërkon nuk iu dha Kongresit.
Drejtësia
Pam Bondi, prokurorja e përgjithshme e betuar të mërkurën, krijoi menjëherë një grup pune për të shqyrtuar “përdorimin si armë politike” e Departamentit të Drejtësisë. Ajo do të hetojë ish-këshilltarin e posaçëm Jack Smith, i cili ngriti dy çështje penale federale kundër Trump dhe “bashkëpunimin federal” nga zyrat e prokurorit të qarkut të Manhattanit, Alvin Bragg, dhe prokurores së përgjithshme të Nju Jorkut, Letitia James, që të dy ngritën akuza kundër Trump.
Një spastrim fillestar i stafit të Departamentit të Drejtësisë filloi menjëherë pas inaugurimit të Trump nga ushtruesi detyrës së Prokurorit të përgjithshëm, James McHenry dhe Emil Bove, një avokat mbrojtës në çështjen e Trump për blerjen e heshtjes së Stormy Daniels.
FBI
Bove urdhëroi zyrtarët në secilin shtet të përpilonin një listë të prokurorëve dhe agjentëve të FBI-së të përfshirë në hetimin mbi trazirat e Kapitolit të SHBA nga mbështetësit e Trump më 6 janar 2021.
Jamie Raskin, demokrati kryesor në Komitetin Gjyqësor të Dhomës së Përfaqësuesve, e quajti këtë një “fyerje të neveritshme ndaj shtetit të së drejtës”.
Thuhet se u mblodhën emrat e rreth 5000 agjentëve. Në një memo drejtuar stafit, Bove shkroi: “Më lejoni të jem i qartë: asnjë punonjës i FBI-së që thjesht ka ndjekur urdhrat dhe ka kryer detyrat e tij në një mënyrë etike në lidhje me hetimet e 6 janarit, nuk rrezikohet nga pushimi nga puna ose dënime të tjera. Të vetmit individë që duhet të shqetësohen për procesin e nisur nga memorandumi im i 31 janarit 2025, janë ata që vepruan me qëllime korruptive ose partiake, që kundërshtuan në mënyrë flagrante urdhrat e udhëheqjes së Departamentit”.
Thesari
Zyrtari më i lartë në Thesar u tërhoq papritmas pas një mosmarrëveshjeje të raportuar me zyrtarë DOGE të Elon Musk që kërkonin akses në sistemin e pagesave të qeverisë që jep më shumë se 6 trilion dollarë në vit.
David Lebryk ishte emëruar ushtrues detyre i sekretarit të Thesarit përpara se kandidati i Trump, Scott Bessent, të konfirmohej nga Senati. Largimi i tij hapi rrugën që zyrtarët e DOGE të fitojnë akses “vetëm për lexim” në sistemet që shpërndajnë përfitimet e sigurimeve shoqërore dhe Medicare, pagat federale, grantet, pagesat për kontraktorët qeveritarë, rimbursimet e taksave dhe pagesa të tjera, si dhe informacionin privat të dhjetëra miliona amerikanëve.
Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar
Të hënën, Musk postoi në X: “Ne e kaluam fundjavën duke shqyrtuar USAid”.
Pothuajse të gjithë 10,235 punonjësit e agjencisë së zhvillimit jashtë shtetit do të kalojnë në pushim me pagesë nga sot, duke u përballur me perspektivën e tepricës, si pjesë e rishikimit më të gjerë të agjencisë së përpjekjes federale të Trump për uljen e kostove.
Punëtorëve dhe kontraktorëve të USAid jashtë shtetit u janë dhënë 30 ditë për t’u kthyer në SHBA, me përjashtim atyre që kanë vështirësi të tilla si arsye sigurie ose mjekësore.
Pas pezullimit të punës së agjencisë 63-vjeçare është shoqëruar me një breshëri publiciteti nga Musk për të nxjerrë në pah shpenzimet e USAid që ai i konsideron të kota.