Administrata izraelite e Burgjeve njoftoi se ka liruar 643 të burgosur palestinezë në shkëmbimin e shtatë dhe të fundit mes Hamasit dhe Izraelit që nga fillimi i armëpushimit më 19 janar.

“Administrata e Burgjeve të Izraelit ka përfunduar lirimin e shtatë të të burgosurve terroristë, sipas marrëveshjes së armëpushimit për kthimin e pengjeve. 643 terroristë u transferuan nga disa burgje në vend”, thuhet në deklaratën e agjencisë.

Gjatë natës, Hamasi i dorëzoi Izraelit, privatisht dhe larg kamerave, trupat e katër pengjeve të vdekur, të cilët më pas u identifikuan nga të afërmit e tyre dhe Forumi i Familjeve të Pengjeve. Ky shkëmbim është i fundit në fazën e parë të armëpushimit në Rripin e Gazës, i cili u arrit përmes negociatave të ndërmjetësuara nga tre vende, Katari, Egjipti dhe Shtetet e Bashkuara, pas 15 muajsh luftime. Në këtë fazë të parë tw armëpushimit, 33 pengje nga Gaza, përfshirë tetë trupa të pajetë, iu dorëzuan Izraelit përmes Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq.