Të paktën nëntë persona kanë humbur jetën në SHBA, pas përmbytjeve të befasishme në pjesën juglindore të vendit.

Shumica e viktimave janë në shtetin e Kentakit. Stuhitë e fuqishme dhe rrëketë e ujit mbuluan rrugët dhe shkaktuan përmbytje duke detyruar evakuimin e njerëzve të bllokuar. Shumë nga vdekjet, përfshirë një nënë dhe fëmijën e saj 7-vjeçar, u shkaktuar nga bllokimi i makinave në rrugët e përmbytura.

Guvernatori i Kentucky, Andy Beshear i paralajmëroi banorët t’i qëndrojnë larg rrugëve për momentin. Ai sqaroi se ende vazhdojnë operacionet e shpëtimit ndërsa është ndërprerë energjia elektrike për rreth 39,000 shtëpi, ndërsa paralajmëroi se erërat e forta mund të dëmtojnë rrjetin elektrik. Në pjesën juglindore të Kentakit, një 73-vjeçar u gjet i vdekur në ujërat që përmbytën qarkun Clay, njoftuan zyrtarët.

Temperatura të acarta, rreth -30 gradë Celsius përfshijnë pjesë të tjera të Shteteve të Bashkuara pranë kufirit me Kanadanë. Në Dakota dhe Minesota pritet që temperaturat të bien mes -40 gradë Celsius dhe – 45.6 gradë Celsius. Po ashtu priten reshje të dendura dëbore në pjesën verilindore të Nju Jorkut ndërsa shpejtësia e erës mund të shkojë deri në 97 km në orë.
Pjesa më e madhe e Shteteve të Bashkuara po përjetojnë një tjetër valë moti të ashpër dimëror me shira të rrëmbyer. Kentucky, Georgia, Alabama, Mississippi, Tennessee, Virginia, West Virginia dhe North Carolina ishin që të gjithë në gjendje alarmi lidhur me stuhinë këtë fundjavë.