Partizani ka kryer dje seancën e radhës stërvitore në kuadër të ndeshjes kundër Bylisit për javën e 26-të të Superiores, të premten në orën 17:30 në stadiumin “Arena e Demave”.

Për këtë ndeshje, trajneri Veselinoviç do të ketë në dispozicion edhe tre lojtarë, që kthehen nga pezullimi. Klubi ka vendosur ta shlyejë me gjobë ndeshjen e mbetur për Bytyçin, teksa Janjeva dhe Taipi e kanë konsumuar dënimin. Gjithashtu, Preka dhe Shanaj kanë kaluar gjendjen virale dhe janë kthyer normalisht në stërvitje.

Të kuqtë do të kenë vetëm dy mungesa për këtë ndeshje. Gudjufi është dënuar nga Komisioni i Disiplinës dhe këtë ndeshje do ta ndjekë nga tribuna, ashtu si Eleke, i cili është në fazën e fundit të rikuperimit nga tërheqja muskulore dhe vijon të mos stërvitet me skuadrën. Sakaq, mësohet se në dyshim për këtë sfidë është Buxhelaj, i cili ka vuajtur virozat dhe duhet të kryejë një ekzaminim në mushkëri.