Në emisionin *Top Story*, deputeti socialist Plarent Ndreca e cilësoi arrestimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, si një ndërhyrje të drejtpërdrejtë të SPAK në procesin zgjedhor. Sipas tij, kryeministri Edi Rama ka treguar disa të vërteta.

“Kryeministri lexoi një mesazh dhe kërkoi nga Altin Dumani të verifikojë vërtetësinë e tij, duke e konsideruar këtë një kërkesë për të ushtruar detyrën dhe jo një presion,” tha Ndreca.

Ai shtoi se nuk mund të ndalohet me burg një kryebashkiak i mandatuar nga 160 mijë qytetarë të Tiranës, duke argumentuar se proporcionaliteti duhet të jetë një parim kryesor në vendimet e drejtësisë.

“Hetimi mund të zhvillohet me masa më të lehta si detyrim paraqitjeje apo ndalim të daljes jashtë vendit. Dëmi që i shkaktohet qytetit nga ky vendim është shumë herë më i madh sesa ai që mund t’i shkaktohet një procesi gjyqësor,” tha Ndreca.

Ai e cilësoi këtë një persekutim politik dhe shtoi: “Kjo është një ndërhyrje e drejtpërdrejtë në zgjedhje, pasi jemi tre muaj para votimeve dhe kjo vendimmarrje ndikon drejtpërdrejt në procesin zgjedhor. Veliaj është drejtuesi politik për Tiranën.”

Nga ana tjetër, analisti Artur Zheji kritikoi qëndrimin e prokurorit Ols Dado dhe gjyqtarit Erion Bani, duke i akuzuar për arrogancë në vendimmarrjen e tyre.

“Bie në sy një arrogancë e prokurorit Ols Dado dhe gjyqtarit Erion Bani. Doktori ka dy konferenca që e lavdëron, e quan të guximshëm “, u shpreh Zheji.