Portieri shqiptar i Ajaxit të Amsterdamit, Diant Ramaj do të jetë lojtari më i ri i Borussia Dortmund. 23-vjeçari ka nënshkruar një kontratë që do ta mbajë lidhur me klubin verdhezi deri më 30 qershor 2029.
Megjithatë, portieri nuk do të qëndrojë këtë sezon te Dortmund, pasi do të huazohet te FC Copenhagen, që janë liderët e kampionatit danez.

“Dianti është një portier i ri gjerman që ka ende shumë potencial zhvillimi. Praktika në ndeshje është gjëja më e rëndësishme për të tani dhe ai do ta marrë minutat në Copenhagen. I urojmë suksese maksimale në gjysmën e dytë të sezonit në Danimarkë dhe në Ligën e Konferencës”, tha drejtori sportiv i Dortumnd, Sebastian Kehl.
Diant Ramaj u transferua nga Eintracht Frankfurt te Ajax në verën e vitit 2023. Në 32 ndeshje për holandezët, ai mbajti gjashtë herë portën të paprekur.