Krahas shifrave të larta të turistëve, vendi ynë tërheq gjithnjë e më shumë interesin e bizneseve apo investitorëve të huaj.
Ndërsa artistët shohin potencial për projekte artistike në vendin tonë.
Producentja amerikane Courtenay Miles, që ka punuar për prodhime të njohura kinematografike si Gone Girl dhe Mindhunter sheh mundësinë e xhirimit të filmave të niveleve hollivudiane në Shqipëri. Teksa mori pjesë në një panel diskutimi me temë si të bësh biznes nëpërmjet filmave në Panairin e Turizmit që u mbajt në Tiranë, Courtenay shprehu interesin për të punuar në vendin tonë.
“Nuk e kisha idenë si do të ishte Shqipëria, por këtu gjeta njerëz shumë miqësor. Kam parë që shqiptarët e duan industrinë e kinematografisë, ne duam të krijojmë infrastrukturën për të xhiruar këtu. Vija bregdetare është e mrekullueshme, malet, dhe mbi të gjitha, njerëzit janë entuziastë”, shprehet Courtenay Miles.
Producentja dhe asistente/regjisorja Pamela Cederquist prej një viti ndodhet në Tiranë, e angazhuar me Institutin Catalys, një organizatë jofitimprurëse për t’u mësuar të rinjve aktrimin, regjisurën dhe profesione të tjera kinematografike, tregon plane konkrete.
“Tirana më kujton Neë York City-n kur isha e vogël, kur kishte më pak njerëzit, rrugët të jepnin ndjesinë që tani e përjetoj këtu. Me studentët që kam këtu në Catalyst, do të nisim së shpejti xhirimet e një filmi, po mendojmë në Tiranë dhe Berati, ku për çdo episod do të punojnë producentët dhe regjisorët shqiptarë, bashkë me artistët amerikanë”, shprehet Pamela Cederquist.
Ajo flet për artistë shqiptarë të talentuar, që meritojnë të arrijnë tregun ndërkombëtar.
“Historitë shqiptare janë mahnitëse, si gruaja e murosur apo nëna që u hodh nga shkëmbi, janë aq të veçanta dhe e gjitha bota do i pëlqente”, shton ajo.
Interesi i shtëpive kinematografike amerikane për të punuar në vendin tonë, do të ndikonte në ekonominë e vendit, teksa krahas turizmit, të huajt duan të punojnë dhe të vazhdojnë karrierën e tyre në Shqipëri.